SHBA: I kemi të gjitha provat për Iranin

14/10/2011 21:20

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë prova të forta që vërtetojnë përfshirjen e Iranit në atentatin e përgatitur për të vrarë ambasadorin saudit në Uashington.

“Kemi prova bindëse që qeveria iraniane po mbështet ekonomikisht aktivitete destabilizuese”, ka deklaruar Jake Sullivan, zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.

Zbulimi i komplotit terrorist për vrasjen e ambasadorit u njoftua më datë 11 tetor nga autoritetet amerikane, të cilat bënë të ditur arrestimin e dy shtetasve iranianë, njëri prej të cilëve mbante pasaportë amerikane.

Ngjarja acaroi tej mase Uashingtonin. Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, në një mesazh të fuqishëm drejtuar Teheranit, paralajmëroi se veprime të tilla nuk do të tolerohen.

Vetë Irani i hodhi poshtë akuzat e Shteteve të Bashkuara, duke i cilësuar ato si një sajesë të Uashingtonit.

Por presidenti amerikan Barack Obama, në reagimin e tij tha se Amerika i ka të gjitha provat për të vërtetuar orkestrimin e atentatit ndaj ambasadorit saudit dhe njoftoi zbatimin e sanksioneve ndaj Iranit.

Top Channel