Siri, manifestim në mbështetje të Assad

12/10/2011 16:20

Disa dhjetëra mijëra sirianë u bashkuan në qendër të kryeqytetit Damask, në një manifestim pro presidentit në fuqi, Bashar al-Assad.

Në manifestimin e zhvilluar gjatë mesditës së sotme, disa njerëz mbanin banderola ku mund të lexohej qartë thënie si “Ushtria dhe populli janë me ty, Bashar al-Assad” apo “Siria është vendi ynë dhe Assad presidenti ynë”.

Të tjerë falenderonin Rusinë dhe Kinën për bllokimin e një rezolute perëndimore në OKB, e cila do të dënonte ndërkombëtarisht dhunën e ushtruar nga regjimi kundër protestave paqësore.

Sipas OKB-së, pothuajse 3 mijë sirianë kanë mbetur viktimë e përleshjeve, që prej shpërthimit të protestave në muajin mars. Sipas aktivistëve, me dhjetëra sirianë opozitarë janë burgosur.

Ndonëse Kina dhe Rusia mbështetën presidentin Assad në OKB, të dy superfuqitë janë treguar të kujdesshme për të theksuar se mbështetja e tyre nuk është pa kushte, ndërsa kanë kërkuar nga regjimi përshpejtimin e menjëhershëm të reformave demokratike.

Top Channel