Protestat në Egjipt, dorëhiqet Ministri

11/10/2011 15:45

Ministri i Financave në Egjipt, Hazem el-Beblavi, paraqiti mesditën e sotme dorëheqjen e tij të parevokueshme, pranë qeverisë së përkohshme ushtarake që drejton vendin.

Beblavi, i cili mbante gjithashtu detyrën e zëvendëskryeministrit, argumentoi largimin e tij nga qeveria me paaftësinë e saj për të garantuar sigurinë për pakicën e krishterë, gjatë një manifestimi të tyre pas djegjes së një kishe, ngjarje në të cilën humbën jetën 25 persona.

Kajro zyrtare ka hapur ndërkohë një hetim të thelluar mbi incidentet ndërfetare. Këshilli Ushtarak luan rolin e një qeverie të përkohshme në Egjipt deri në organizimin e zgjedhjeve të para që prej largimit të presidentit Hosni Mubarak, në muajin shkurt.

Të krishterët koptë përbëjnë 10% të popullësisë prej 85 milion banorësh të Egjiptit. Ata pretendojnë se liritë e tyre themelore shkelen vazhdimisht nga ana e shumicës islame. Sipas të krishterëve, autoritetet ishin përgjegjës për masakrën e fundjavës, pasi reaguan me vonesë ndaj ngjarjeve provokuese të bëra në dëm të tyre.

Top Channel