Përleshje ndërfetare në Kajro

11/10/2011 00:10

Mijëra egjiptianë koptë morën pjesë në funeralet e protestuesve të vrarë, pas përleshjeve të së dielës në Kajro, ku të paktën 24 persona humbën jetën.

Nuk është mësuar ende nëse të vrarët ishin të gjithë të krishterë, por sipas autoriteteve, mes tyre ishin edhe tre ushtarë. Mbi 200 të tjerë u plagosën, 86 prej të cilëve pjesëtareve të forcave të sigurisë. Ata fajesojnë ushtrinë për vrasjen e pjesëtarëve të komunitetit të tyre.

Dhuna nisi të dielën, gjatë marshimit të krishterëve koptë,  të cilët protestuan kundër sulmit në njërën prej kishave të tyre në provincën jugore të Asuanit, javën e kaluar. Protestuesit thanë se ishin sulmuar nga banda përpara se forcat e sigurisë të qëllonin turmën.  Udhëheqësi i Kishës Kopte, Shenuda i tretë foli për përfshirjen e të infiltruarve. Dëshmitarët rrëfyen se ushtria hapi zjarr ndaj turmës dhe planet filmike treguan automjetet ushtarake që iu drejtuan protestuesve.

Këshilli i Lartë i Forcave të Armatosura, i cili qeveris Egjiptin, pas rrëzimit të Hosni Mubarakut, i kërkoi qeverisë së përkohshme ngritjen e një komiteti  që do të hetojë ngjarjen. Ndërkohë masat e sigurisë janë shtuar në Kajro. Ushtarë shtesë janë vendosur jashtë parlamentit dhe ndërtesës së qeverisë, për t’i bërë ballë çdo përshkallëzimi të mundshëm të situatës.

Koptët përbëjnë rreth 10 % të popullsisë së Egjiptit, me 85 milionë banorë. Ata shpesh kanë shprehur revoltën e tyre ndaj administratës së përkohshme, duke thënë se ka qenë e ngadaltë për të ndëshkuar militantët që vënë në shënjestër kishat e tyre.

Top Channel