Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk është një cështje ekskluzive e politikëbërësve, por e të gjithë qytetarëve.

Informimit të tyre për proceset integruese nga sot do t’i vijë në ndihmë revista ‘Eurospeak’, një botim i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, prezantuar në ambientet e Qendrës për Informim të BE-se në Tiranë.

Kreu misionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi theksoi domosdoshmërinë e një informimi të hollësishëm e të detajuar për të gjitha aspektet e integrimit.

“Qytetarët e informuar janë në faktor kyc i suksesit për Bashkimin Europian, por edhe kyci i suksesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Qytetarët janë ata që do të ndihmojnë në formëzimin e politikave vetëm në rast se i kuptojnë ato.Unë kam besim se revista ‘Eurospeak’ do të përfaqësojë një investim në fuqizimin demokratik të qytetarëve shqiptarë pra në fuqizimin tuaj. Unë e mirëpres këtë revistë dhe kam shpresën se do të jetë një sukses i gjatë.Eshtë përgjegjësia jonë t’u tregojmë shqiptarëve se cfarë është integrimi Europian dhe pse eshte ne interesin tonë dhe të tyre integrimi i Shqipërisë në BE”, tha Sequi.

Ambasadori Sequi lancoi edhe një fushatë sensibilizuese me moton “Përse është në interesin tim t’i bashkohem BE-së”.

Procesi liberalizimit të vizave ishte vetëm një pjesë e rrugëtimit të gjatë të Shqipërisë drejt familjes europiane. Por sa të mirëinformuar janë shqiptarët për proceset integruese? Disa qytetarë të Tiranës thonë se i vetmi mjet i informimit të tyre deri më tani ka qenë televizioni.

Ambasadori Sequi në një prononcim për median nuk ka komentuar përmbajtjen e progres-raportit, i cili do të publikohet nesër por ka paralajmëruar një axhendë të ngjeshur me paraqitjen e raportit zyrtarëve më të lartë shqiptarë përfshi edhe grupet e interesit.

Top Channel