Eurozona, Sllovakia pranë “rebelimit”

11/10/2011 15:20

Zgjerimi i ombrellës së planifikuar për shpëtimin e euros tani pret vetëm zërin e Sllovakisë.

Malta i miratoi planet e shtimit të fondit të ndihmës për Eurozonen dhe kjo e bën Sllovakinë të fundit nga 17 vendet antare që duhet të votojë iniciativen, tashmë të aprovuar nga të gjithë të tjerët.

Dyshime të shumta janë formuar mbi rezultatin e votimit në parlament, me një parti brenda koalicionit qeverisës që nuk arrin të gjejë gjuhën e përbashkët për një marrëveshje kompromisi, çka detyroi kryeministren Iveta Radicova të kërcënojë me dorëheqjen nëse parlamenti sllovak e refuzon zgjerimin e fondit.

Brenda qeverisë së qendrës së djathtë, reforma është shumë e diskutueshme dhe fraksionet e qeverisë kanë në parlament vetëm një shumicë të ngushtë. Tre nga katër partitë e koalicionit në pushtet janë për promovimin e mekanizmit që synon të parandalojë daljen e krizes së borxhit grek nga kontrolli.

Megjithatë, partneri i katërt, partia për Liri dhe Solidaritet kërcënon të votojë kundeëj, me argumentin se njeri prej vendeve më të varfëra antare të klubit të euros nuk duhet të paguajë për borxhet gjigante të shteteve më të pasura si Greqia dhe Italia.

Për zgjerimin e ombrellës së shpëtimit, me të cilën ndihmohen shtete të zhytura thellë në hua si Greqia apo Portugalia, nevojitet miratimi i të gjitha vendeve të Eurozonës.

Çdo vonesë e mëtejshme në ratifikimin e shtimit të fondit të ndihmës, mund të transmetojë tensione të mëtejshme në tregjet dhe të vendosë nën trysni të lartë qeveritë e zhytyra në borxhe.

Top Channel