Ethem Ceku – Zhvillimi ekonomik paraqet sfidën më të rëndësishme të klasës udhëheqëse
të një vendi.

Progresi në fushën ekonomike është një nga indikatorët
kryesorë për afinitetin qeverisës të një klase politike dhe të shoqërisë
në përgjithësi.

Shoqëritë e ndryshme, e sidomos ato që iu kanë bashkuar më vonë konceptit të ekonomisë së tregut, kanë zhvilluar debate të jashtëzakonshme për modelin që duhet të ndjekë klasa e tyre politike për zhvillimin e shtetit dhe të kombit të tyre. Për rreth 200 vjet, debati mbi organizimin ekonomik është sjellë rreth përballjes mes dy sistemeve të mëdha e rivale: kapitalizmit e socializmit. Kjo lloj përballjeje ka qenë aq e rëndësishme, saqë ka përcaktuar strukturën e vetë spektrit politik të një shteti. Në praktikë, sistemet ekonomike kanë qenë gjithnjë e më të ndërlikuara e vështirë për t’u klasifikuar dhe në realitet, shoqëritë kanë përgatitur modelet e veta, të cilat i kanë aplikuar si procese zhvilluese që kanë sjellë përparime, apo edhe dështime e stagnime ekonomike. Planifikimi ekonomik centralist si koncept, pas ndryshimeve të mëdha që ndodhën pas vitit 1989, pësoi goditje të madhe apo humbi tërësisht rolin dhe la pasoja të mëdha te zbatuesit e kësaj filozofie ekonomike. Prandaj është përgjegjësi e madhe përcaktimi i rrugëtimit që duhet të ndjekë klasa politike drejt formësimit të opsionit, që duhet të përdorë në përpjekje për të nxitur zhvillimin ekonomik.

Nga përvojat e shteteve që kanë kaluar këtë rrugëtim, rezulton se një rrugë “e duhur” e ngritjes së një sistemi ekonomik të suksesshëm, nuk ekziston. Në mungesë të një sistemi perfekt ekonomik, ekonomia e tregut u tregua si opsioni më efikas dhe më i mirë për shoqëritë dhe shtetet. Siç duket, mbizotërimi i ekonomisë së tregut ndaj antipodit të saj centralist ndodhi për shkak se në themel të së parës qëndron liria. A ka vendi ynë një profilizim ekonomik mbi rrugëtimin e tij në shekullin 21? Cila referencë e ekonomisë së tregut i përshtatet ekonomisë së vendit tonë dhe sa është klasa jonë politike e përgatitur për të futur në veprim njërin nga profilet ekonomike që ka treguar rezultate të mira?

Nga përvoja e kaluar qeverisëse disavjeçare, një profilizim i tillë nuk pati as kushtet, por as përvojën për t’u trajtuar seriozisht. Edhe pse u bënë përpjekje të mëdha për të caktuar prioritetet kohore që do të ndikonin në zhvillimin ekonomik të vendit, turbulencat e shpeshta politike nuk siguronin konsistencën e nevojshme që vizionet të kthehen në veprime. Në shoqërinë tonë mungojnë debatet e natyrës së tillë, të cilat do të ndihmonin në rrugëtimit e vendit tonë drejt shoqërive të avancuara. Historia tregon se ekonomia e tregut është një garë sfiduese për shtetet e vogla dhe të varfra, që kanë një lidership pa përvojën e duhur dhe që kanë përreth fqinjë që ndjekin diskurs të theksuar nacionalist, siç është rasti me Kosovën. Prandaj, ndërtimi i një shteti me ekonomi të zhvilluar për shoqërinë dhe institucionet tona mbetet prioritet mbi prioritete. Ne duhet të përcaktojmë cili model ekonomik dhe cilat veprime do na japin fryte afatshkurtra dhe afatgjata, cili do të jetë roli i shtetit në këtë proces dhe si do të krijojmë një buxhet, i cili do të mbulojë nevojat e shoqërisë. Këto janë sfidat që ne duhet t’i zgjedhim me ndihmën e modeleve dhe eksperiencave të shteteve të zhvilluara. Po t’i referohemi përvojave të vendeve, të cilat kanë pasur zhvillim të mirë ekonomik, kapitalizmi i sipërmarrjes së lirë ka dhënë një rezultat të mirë në Britaninë e Madhe dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Parimet e lirisë së tregut kanë ndihmuar për ta mbajtur pronën publike në një nivel minimal dhe të sigurojnë që furnizimi me të mira materiale vepron pak më shumë se sa si një rrjetë sigurimi.

Bizneset amerikane janë tipike të drejtuara drejt fitimit, ku prodhimtaria e lartë dhe fleksibiliteti i tregut të punës shpërblehet. Pa dyshim që SHBA-të kanë avantazhe natyrore që i japin mundësinë që të përfitojë nga zbatimi i parimeve të lirisë së tregut, veçanërisht një tregu kombëtar me përmasa kontinentale, pasurisë në burime natyrore dhe një kulture popullore shumë individualiste. Ky model i kapitalizmit të lirë ka dhënë rezultate të shkëlqyera në këto dy vende të mëdha, duke ju falënderuar edhe vetëdijes së fortë dhe misionit kombëtar në fushën e ekonomisë. Një model tjetër që i përshtatet edhe Kosovës, është kapitalizmi social që është zhvilluar në pjesën më të madhe të Europës Qendrore e asaj Perëndimore e në veçanti në Gjermani, Austri, vendet e Beneluksit, Francë dhe në pjesën më të madhe të vendeve skandinave.

Gjermania është shembulli tipik i përdorimit të kësaj ideje, për të transformuar vendin e shkatërruar në Luftën e Dytë Botërore, në një fuqi kryesore ekonomike të Europës. Në Gjermani, ky sistem është i mbështetur në lidhjen ndërmjet kapitalit industrial dhe financiar në formën e një marrëdhënie të ngushtë ndërmjet korporatave të biznesit dhe bankave rajonale, të cilat shpesh janë aksionere kryesore në këto korporata. Ky ka qenë boshti rreth të cilit është sjellë ekonomia gjermane pas luftës dhe që ka orientuar ekonominë drejt investimeve afatgjata se sa drejt fitimeve afatshkurta.

Ky model i aplikimit kërkon shumë këshillime, negociata dhe konsensus, por aplikimi i këtyre parimeve ka rezultuar me zhvillimin e fuqishëm të shoqërive dhe shteteve që kanë aplikuar këtë sistem. Ky model dhe rregullimi i infrastrukturës ligjore do të kishte dhënë rezultate të mira në zhvillimin e shtetit të Kosovës dhe të shoqërisë kosovare në përgjithësi.

Prandaj institucionet dhe shoqëria jonë duhet të hapin debatin se cilin vizion zhvillues duhet të përdorim në Kosovë që të kemi shkallë më të lartë të përparimit ekonomik. Modelet e zhvillimit ekonomik të shteteve skandinave dhe të Gjermanisë do të duhej të shërbenin si një pikënisje e mirë për të ardhur deri te varianti kosovar, që gjithsesi duhet të jetë autentikë dhe të ketë parasysh kontekstin lokal dhe rajonal.

Gazeta “Shqip”

Top Channel