Dy anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, republikani Keith Self dhe demokrati Suhas Subramanyam, ndodhen në Preshevë, ku pritet të zhvillojnë takime me përfaqësues të pushtetit lokal, partive politike shqiptare dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Vizita e tyre në Luginën e Preshevës vjen në vazhdën e një nisme të mëparshme të Komitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit amerikan, i cili ka miratuar një projektligj që i kërkon Departamentit amerikan të Shtetit të përgatisë një raport të detajuar mbi gjendjen e pakicave në Serbi, me theks të veçantë te shqiptarët në jug të vendit.
Projektligji, i iniciuar nga kongresmeni Keith Self, trajton një sërë çështjesh të ngritura prej kohësh nga komuniteti shqiptar, përfshirë pasivizimin e adresave, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucione, mosnjohjen e diplomave nga Kosova dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.
Disa nga këto shqetësime janë përfshirë edhe në raportet e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi për vitin 2023. Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e ka vlerësuar vizitën si një sinjal të rëndësishëm të vëmendjes ndërkombëtare ndaj pozitës së shqiptarëve në Luginë.
Një ditë më parë, delegacioni amerikan qëndroi në Beograd, ku zhvilloi takime me zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, ndërsa një takim i planifikuar me kryetaren e Kuvendit serb u anulua. Më herët, ata kishin vizituar edhe Sarajevën, ku riafirmuan përkushtimin e tyre ndaj Marrëveshjes së Dejtonit dhe integritetit territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Pas Preshevës, ata pritet të vazhdojnë turneun në Ballkan edhe me një vizitë në Kosovë. Çështja e shqiptarëve në Serbi mbetet një temë e ndjeshme, ku përfaqësuesit lokalë flasin për diskriminim dhe pengesa institucionale, ndërsa Beogradi zyrtar i mohon këto akuza. Sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2022, në Serbi jetojnë mbi 60 mijë shqiptarë, të përqendruar kryesisht në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Top Channel