BE përshëndet formimin e grupimit opozitar sirian

10/10/2011 17:40

Bashkimi Europian përshëndeti krijimin e një Këshilli Kombëtar Sirian, një grupim opozitar që kundërshton regjimin autoritar të presidentit Bashar al-Assad.

Në një komunikatë të përbashkët të Brukselit zyrtar, organizimi cilësohej si një “hap i rëndësishëm dhe pozitiv drejt një demokracie më të madhe në Siri”.

Deklarata vjen vetëm pak ditë pasi Siria kërcënoi çdo vend për pasoja të rënda në rast se dokumentohet ndihma që ata kanë dhënë në ngritjen e një strukture të tillë.

Ndërkohë, përleshje të ashpra u regjistruan në fundjavë në disa qytete, të cilat krijuan një bilanc tragjik prej të paktën 31 viktimash.


Sipas ekspertëve, kjo lëvizje e Bashkimit Europian është cilësuar si një mënyrë për të anashkaluar veton kundër një rezolute që dënonte regjimin sirian në OKB.

Pavarësisht njohjes së Këshillit Kombëtar Sirian, një diplomat europian u tregua i kujdesshëm për të thënë në “Agjensinë Franceze të Lajmeve” se “njohja nuk e njëjtë me atë që iu bë Qeverisë së Përkohshme Libiane. Ndërsa ajo ishte një strukturë ushtarake, Këshilli Kombëtar Sirian është një grupim politik, që kundërshton pushtetin absolute të presidentit Assad”.

Më shumë se 3 mijë persona kanë humbur jetën në protesta, që prej shpërthimit të tyre në muajin mars.

Top Channel