Peter Lucas komenton vdekjen e Alisë

08/10/2011 08:10

Shkrimtari dhe gazetari shqiptaro-amerikan Peter Lucas, i cili vizitoi për herë të parë Shqipërinë në vitin 1988 dhe që ndoqi më pas rënien e komunizmit si korrespondent i Boston Herald, mendon se Alia ishte një njeri i mirë, por qe gjithashtu i burgosur nën prangat e trashëgimisë së Hoxhës.

Lucas, i cituar nga gazeta “Shqip”, thotë se Alia nuk diti të kuptonte se çfarë po ndodhte, por që gjithsesi duhet falënderuar për lëshimin e pushtetit pa dhunë.

Lucas është autor i disa romaneve dhe librave mbi Shqipërinë e kohës së komunizmit.

“Më vjen keq të dëgjoj për vdekjen e Ramiz Alisë. Gjatë shumë rasteve që jam takuar me të, ai qe i mirësjellshëm, me dinjitet dhe i rafinuar.

Gjithsesi, unë e gjeta atë tërësisht të papërgatitur për ndryshimet që po ndodhin në Shqipëri dhe gjithkund tjetër nëpër Ballkan e në Europën Juglindore, pasi ai zuri vendin e Hoxhës si udhëheqës i vendit.

Ndërsa forcat që kërkonin ndryshim po demonstronin nëpër rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë dhe ndërsa komunizmi po binte, Alia nuk dukej i aftë për t’u përballur por u zu nën status quo-në e Partisë Komuniste.

Ai premtoi ndryshim, por qe shumë pak dhe shumë vonë dhe u gllabërua nga forcat që ai nuk i kuptonte. Kjo ishte për të ardhur keq në njëfarë mënyre. Ai trashëgoi një shtëpi që ishte e kalbur dhe po rrënohej përreth tij dhe ai nuk diti çfarë të bënte.

Mendoj se ishte një njeri i mirë, por mendoj gjithashtu se qe i burgosur në prangat e trashëgimisë së Hoxhës, – aq keq saç qe – dhe i burgosur nga Nexhmija dhe zyrtarët e Partisë Komuniste që e rrethonin atë dhe që interesoheshin vetëm për të mbajtur pozicionet e veta.

Rezultati në fund ishte që ata të gjithë u mënjanuan. Megjithatë, nuk pati dhunë të vërtetë përgjatë tranzicionit nga komunizmi te demokracia në Shqipëri, nuk pati luftë civile të përgjakshme apo grusht shteti, nuk pati ekzekutime në masë. Sa shumë e ndryshme qe kjo nga periudha kur komunistët e morën pushtetin!

Largimi i tij qe pa gjakderdhje dhe ai duhet të falënderohet për këtë. Ai thjesht u zhduk si mjegull me gjithë dinjitetin që mund të zotëronte. Mendoj se ky qe karakteri i tij.

Në rrethana të tjera dhe në kohë të tjera ai mund të kishte qenë një udhëheqës i mirë. Për fat të keq, ne nuk mund të zgjedhim kohën në të cilën ne e gjejmë veten mbi tokë”.

Ramiz Alia vdiq në orën 7.00 të ditës së premte në sanatoriumin e Tiranës, ku ndodhej i shtruar për shkak të komplikacioneve në mushkëri.

Nuk është e qartë nëse kryeministri Sali Berisha do të respektojë apo jo ceremonialin zyrtar, për t’i rezervuar ish-presidentit Alia një ceremoni zyrtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA