Gjeorgjia, Sarkozy paralajmëron Rusinë

08/10/2011 00:00

Presidenti francez Nicolas Sarkozy deklaroi para mijëra gjeorgjianëve të
mbledhur në kryeqytetin Tbilisi, se Rusia duhet t’i ndalë kërcënimet
ndaj fqinjit të saj.

Zoti Sarkozy tha se Rusia ishte një mik i rëndësishëm, por përpjekjet e saj për të frikësuar Gjeorgjinë janë të papranueshme.

Lideri francez u shpreh se Rusia duhet t’u përmbahet pikave të marrëveshjes për armëpushim të arritur në vitin 2008, ku ai dha kontributin e tij.

Duke folur në Sheshin e Lirisë, në Tbilisi, ai tha se Franca mbështet plotësisht sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë.

“Franca e sheh Rusinë si mikun e saj, si një partner strategjik. Por kërcënimet, frikësimi dhe tentativat për të destabilizuar vendin nuk ndihmojnë në rivendosjen e besimit”, deklaroi Sarkozy.

Shefi i pallatit Elize u shpreh se Gjeorgjia duhet të jetë në gjendje të shprehë aspiratat e saj për t’iu bashkuar NATO-s dhe BE-së, pavarësisht kundërshtimeve të Rusisë.

Gjeorgjia akuzon Rusinë se ka shkelur paktin e vitit 2008 duke mos tërhequr trupat e saj në pozicionet para luftës dhe duke “pushtuar” ish-republikat sovietike të Abkazisë dhe Osetisë së Jugut.

Rusia njohu pavarësinë e këtyre dy “republikave” në vitin 2008, pasi ka mbajtur në to trupa paqeruajtëse që prej fillimit të viteve ’90.

Top Channel