Filipinë, Ambasadori kërkon falje për deklaratat

08/10/2011 19:20

Ambasadori i SHBA-së në Filipinë, Harry Thomas, kërkoi falje për thënien se 40% e turistëve meshkuj vizitojnë vendin për qëllime seksuale.

Deklaratat e tij gjatë një konference lokale gjatë muajit të shkuar, shkaktuan revolta të gjera publike, me autoritetet që shprehën keqardhjen e tyre të thellë që një zyrtar amerikan portretizonte vendin si një “parajsë seksuale”.

Ndjesa zyrtare e Ambasadës Amerikane u realizua nëpërmjet një komunikate publike. Në tekstin e komunikatës, shkruhej edhe se Uashingtoni zyrtar është i vendosur të bëjë më shumë për të luftuar përfshirjen e shtetasve të tij në prostitucionin e minorenëve dhe trafikun e qënieve njerëzore në vendin aziatik.

Qeveria filipinase është duke u përpjekur që të kryejë një rivitalizim të rëndësishëm të sektorit turistik, i cili për vite ka qenë i renditur pas turizmit të vendeve fqinje.

Top Channel