Belgjikë, arrihet marrëveshja

08/10/2011 00:00

Nën drejtimin e socialistit Elio Di Rupo, tetë parti belge kanë arritur një marrëveshje pas dy muajsh negociata intensive.

Palët kanë rënë dakord për një paketë reformash institucionale që i hap rrugën krijimit të qeverisë së re.

Sipas agjencive evropiane të lajmeve, marrëveshja është arritur gjatë orëve të natës dhe do të paraqitet zyrtarisht ditën e martë.

Belgjika udhëhiqet nga një qeveri e përkohshme prej më shumë se një vit e gjysmë dhe ka vendosur rekordin botëror për tejzgjatjen e një krize politike.

Kriza politike në “zemrën” e BE-së u thellua pas njoftimit të kryeministrit të përkohshëm, Yves Leterme, për të dhënë dorëheqjen, më 13 shtator.

Dorëheqja e tij erdhi pasi ai pranoi ofertën për t’u bërë nënsekretar i përgjithshëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Kjo lëvizje e papritur bëri që mbreti Albert II të ndërpriste pushimet në Nisë të Francës dhe të kthehej në Bruksel, për të ndjekur zhvillimet politike.

Menjëherë ai ngarkoi liderin e socialistëve, Di Rupo, me detyrën e formimit të qeverisë së re, i cili duket se i dha zgjidhje situatës.

Top Channel