Serbia nuk do të pranoje vazhdimin e dialogut teknik me Kosovën pa e zgjidhur problemin me pikëkalimet në Bërnjak dhe Jarinjë.

Veriu është i rëndësishëm për delegacionin serb dhe tashmë porositë kanë shkuar përmes të dërguarit të BE-së, Robert Cooper, i cili ka nisur vizitën në Beograd dhe Prishtinë.

Borko Stefanovic,shef i grupit negociator ka thënë se mbështet barrikadat paqësore dhe pret mirëkuptim nga Prishtina për zgjidhjen e problemeve.

“Ne duam që të arrijmë një zgjidhje dhe me bashkësinë ndërkombëtare do të zgjidhim problemin e Veriut dhe më pas do të flasim me Prishtinën. Kemi biseduar deri në detaje për mundësitë e zgjidhjes së këtij problemi dhe kemi hasur në mirëkuptim”, ka thënë Stefanoviç.
 
Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, i cili po ashtu ka pritur të dërguarin Cooper, ka thënë se dialogu është rruga e vetme.

“Tema kryesore ka qenë veriu i Kosovës. Kjo situatë është e papranueshme për të gjithë dhe duhet të vazhdojmë dialogun dhe të ketë kontakte me KFOR-in dhe EULEX-in”, tha ai.

Shpresa pa folur për Veriun nga shikimi i Serbisë duket e vogël. Por, është premtuar zbatimi i marrëveshjes për liri të lëvizjes të arritur në fillim të verës.

Top Channel