Partia Demokratike Shqiptare ka ftuar kryeministrin Sali Berisha ta anuloj vizitën e tij në Maqedoni për shkak të veprimeve anti-shqiptare të qeverisë së Shkupit dhe thirrjes së ambasadorit shqiptarë, Arben Cejku në bisedë nga Ministria e Jashtme maqedonase për të dhënë sqarime për deklaratat e tij kundër enciklopedisë maqedonase dhe teksteve shkollore që ofendojnë shqiptarët.
“Akti i thirrjes në bisedë i ambasadorit shqiptar nga MPJ është kulmi i arrogancës dhe cmendurisë së kësaj qeverie. Ne pjesërisht mbështesim deklaratën e ambasadorit Cejku pasi ai nuk ka goditur në shenjë. Fajtor kryesor është përfaqësuesi shqiptar në qeveri BDI. Kryeministri shqiptar Berisha duhet të bëj anulimin e vizitës në Maqedoni për arsye të qëndrimit anti-shqiptarë, anti-NATO dhe anti-BE-së të qeverisë maqedonase”, tha Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.
Duke reaguar ndaj kësaj deklarate të PDSH-së, përfaqësuesit e partisë shqiptare në qeverinë e Shkupit, BDI, thanë se kryeministri Berisha nuk ka nevojë për mentor nga Maqedonia. Ata vlerësojnë se në bazë të së dejtës ndërkombëtare thirrja në bisedë e një ambasadori është normale.
“Mendoj që kryeministri i Shqipërisë nuk ka nevojë për sufler dhe për mentor në grupet parlamentare të Parlamentit të Maqedonisë. Nuk është praktikë e parë që një ambasador të jetë i thirrur në bisedë për sqarime shtesë në institucionin përkatës”, deklaroi Talat Xhaferi, deputet i BDI-së.
Me ftesë të kryeministrit Nikolla Gruevski, Berisha pritet që ta vizitojë Maqedoninë në fund të muajit tetor.
Top Channel