Libi, konflikti është pranë përfundimit

07/10/2011 18:35

Forcat e qeverisë së përkoshme libiane kanë tashmë në duart e tyre shumicën e qytetit të Sirtes, ndërsa luftimet e ashpra vazhdojnë të zhvillohen në zonat e mbetura në dorën e besnikëve të Gaddafi-t, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Shkëmbime zjarri po regjistrohen aktualisht ndaj një godine shtetërore, ku ishin fshehur një numër snajperësh, të cilët i shkaktuan humbje të rënda forcave demokratike gjatë fazave fillestare të sulmit.

Me Sirten, qyteti i lindjes së Gaddafi-t, që është bastioni i fundit në duart e besnikëve të tij, kjo ofensivë pritet të mbyllë përfundimisht konfliktin libian.

Organizatat humanitare kanë shprehur një shqetësim të thellë për gjendjen e civilëve të mbetur në kurth në qytet. Edhe pse shumica e banorëve janë larguar, disa dhjetëra mijëra mbeten midis linjave të frontit në mëshirë të fatit.

Gaddafi: Libianë, çohuni me miliona

Ditën e enjte, Gaddafi i bëri një thirrje popullit libian nëpërmjet një radioje siriane, që të çohen në revolta për të përmbysur me dhunë atë që ai e konsideroi si një qeveri të paligjshme.

Diktatori theksoi se kushtet e jetesës në Libinë e sotme janë bërë të padurueshme.

Koloneli, gjithashtu vuri në dyshim legjitimitetin e qeverisë së re të vendosur në vend, duke theksuar se ndërsa ai kishte ardhur në pushtet me forcën e votës, ajo ka ardhur me atë të armëve.

Vendndodhja aktuale e Gaddafi-t është e panjohur, por transmetimi i mesazhit në një media siriane ka krijuar menjëherë spekulimin për strehimin e tij në vendin arab, gjithashtu i rrezikuar nga një ndërhyrje perëndimore. 

Top Channel