Një automjet privat me targa “KS” është djegur rreth orës dy të
mëngjesit të së premtes, në rrugën “Kolashini” në afërsi të “3
rrokaqiejve” në Veri të Mitrovicës.

Policia e Kosovës beson se vetura e tipit Golf 2 është djegur si rezultat i zjarrëvënies së qëllimshme me një substancë ndezëse, ndërsa pronar i saj është një serb 34 vjeçar. Njësitë policore të cilat kanë reaguar në vend ngjarje kanë konstatuar se persona ende të paidentifikuar i kanë vënë zjarrin automjetit me ndihmë të substancës ndezëse, që besohet të jetë një përzierje molotovi, me benzinë.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për Mitrovicë, Besim Hoti, janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, dhe vetura konsiderohet e djegur tërësisht, ndërsa nuk është raportuar për të lënduar në njerëz. Deri më tani autorët e këtij rasti nuk janë identifikuar, por sipas policisë, në bazë të hetimeve të para lidhur me rastin, besohet se një larje hesapesh për çështje biznesi, mund të jetë motiv i mundshëm i këtij akti kriminal.

Serbët, barrikadë në Kroin e Vitakut

Ndërkohë, pakica serbe ka vendosur beton dhe një konteiner mbeturinash në lagjen Kroi i Vitakut, e konsideruar si zonë e përgjegjësisë së vecantë.

Ylber Hysa, koordinator i strategjisë për veriun, pasi vizitoi barrikadën deklaroi se bëhet fjalë për një bllokim të drejtpërdrejtë të lëvizjes së qytetarëve.

“Si i tillë, ky veprim është i papranueshëm”, deklaroi Hysa.

Bllokimi vjen pas vendimit të së enjtes të qeverisë kosovare për ndarjen e 900 mijë eurove për ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve në Kroin e Vitakut.

Top Channel