Në kohën kur veriu i Kosovës rrezikon të bëhet pjesë e bisedimeve me Serbinë, shqiptarët e Luginës së Preshevës ngrihen në këmbë kundër diskriminmit të tyre nga shteti i Serbisë.

Dhjetëra qytetarë u mblodhën në qytetin e Gjilanit për të kërkuar të drejtat e tyre, si shkollimin në gjuhën shqipe, ndalimin e burgosjeve politike, reciprocitet me serbët e Kosovës, etj.

Ata mbanin pankarta me këto kërkesa, ndërsa më shumë binte në sy ajo me mbishkrimin se, “Presheva, Medvegja dhe Bujanoci janë pjesë të Kosovës”.

Sipas organizatorëve, cështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës duhet të disktutohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ata kërkuan me këtë rast nga qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës që të hapin zyrat konsullore në Luginë. Në mbështetje të protestës doli lëvizja “Vetëvendosje”.

“Duhet të ngrihet zëri për të drejtat e shqiptarëve atje, që ata i kanë shprehur qartë në referendumin e vitit 92 dhe në vitin 96, permes një platforme ku kërkohet respektimi recisprok i të drejtave me serbët. Lëvizja Vetëvendosje i mbështet ata”, deklaroi Liburn Aliu, deputet i Vetëvendosjes.

“Do ngrihet zëri vazhdimisht për ato tri komuna që po harrohen me kalimin e kohës”, u shpreh pas tij Mustafë Shaqiri, ish-ushtar i UCPMB-së.

Muajin e kaluar, mijëra shqiptarë protestuan në rrugët e Preshevës, duke i bërë thirrje qeverisë së Beogradit që të ndalë diskriminimin ndaj tyre.

Problematika e jetës së përditëshme të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit u trajtua gjërësisht edhe në Top Show, në puntatën e titulluar “Lugina e harruar”.

Top Channel