FRESSH, kundër ligjit të mbetjeve

07/10/2011 19:35

Dhjetëra të rinj, aktivistë të Forumit Rinor të Partisë Socialiste kanë protestuar përpara Presidencës mesditën e së premtes, kundër ligjit për importin e mbetjeve urbane.

Të rinjtë socialistë, mes parullave të hedhura kanë kërkuar që presidenti i Republikës të mos e dekretojë ligjin.

Të rinjtë kanë mbajtur në duar nje pankartë ku shkruhej “jo dekretimit” dhe janë shprehur se shpresonin që presidenti ta rrëzojë atë.

Ligji kaloi vetëm me votat e maxhorancës muajin e kaluar në Parlament. Partia Socialiste e kundështoi ashpër miratimin e tij, duke vlerësuar se, dekretimi do ta kthejë Shqipërinë në një kosh plehrash.

Deputeti Arben Malaj iu drejtua deputetëve të mazhorancës duke u shprehur se me ligjin e propozuar prej tyre, cdo investitor shqiptar ka të drejtë të ngrejë një fabrikë sa më të madhe dhe pas gjashtë muajsh t’i vërtetojë qeverisë se nuk ka më kapacitet sepse dihet teorikisht cili ësht ë kapaciteti maksimal i mbetjeve në Shqipëri.

“Ju do të nxisni investimet në këtë industri, e cila nuk do të ketë në thelb pastrimin e ambientit shqiptar, por biznesin me mbetjet”, tha Malaj.

Ndërsa deputeti tjetër Taulant Balla u shpreh se projektligji është i porositur nga interesa mafioze nga vende të tjera që duan medoemos të ndërtojnë në Shqipëri impiante të përpunimit dhe të groposin plehrat e tyre.

Sipas tij, të dhënat e Wikileaks tregojnë ndër të tjera edhe se cfarë ka shkruar konsulli amerikan në Napoli Departamentit të Shtetit.

“Camorra dhe Ndrangheta, sytë për plehrat i kanë nga Shqipëria, sepse në Shqipëri po miratohet  një pr/ligj për trajtimin e mbetjeve të ngurta dhe se qeveria shqiptare po i hap dyert këtij projekti’. Konsulli i shkruan Departamentit të Shtetit që të merren masa, që të njoftohet qeveria shqiptare që të marrë masa për këtë rrezik që i kanoset nga dy grupet më të mëdha mafioze në Itali”, tha Balla.

Edhe ekspertët e mjedisit e kundërshtuan ligjin për menaxhimin e mjedisit, duke deklaruar qartë se ai është i pazbatueshëm në terren.

Ndërsa në fillim të muajit, në deputeti Erjon Brace bëri një seri denoncimesh në emisionin “Shqip”, ku ishin të pranishëm edhe analistë të shtypit shqiptar.

Top Channel