Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për dialogun mes Prishtinës dhe
Beogradit, Robert Cooper do të takohet sot me shefin e ekipit serb për
bisedime, Borislav Stefanovic dhe të ashtuquajturin ministër për
Kosovën, Goran Bogdanovic.

Para vizitës së Cooperit, Stefanovic ka thënë se Jarinja dhe Bërnjaku do të jenë tema kryesore e këtij takimi, duke tërhequr vërejtjen se nuk janë të vërteta lajmet në mediat serbe se nuk do të bëhet fjalë për këtë çështje.

“Ky është problem urgjent, të cilin duhet ta zgjidhin, në mënyrë që në kuptim të plotë ta zgjidhim çështjen e telekomit, të energjisë elektrike dhe përfaqësimit të Prishtinës në iniciativat rajonale”, ka thënë Stefanovic, bën të ditur Telegraf.

Ai ka shtuar se takimi i të premtes ndërmjetësin ndërkombëtar është “vazhdim i diskutimeve për zgjidhjen e problemit në Jarinjë dhe Bërnjak, që kanë nisur në Bruksel”.

“Cooper nuk vjen në Beograd për ta dëgjuar palën tonë rreth problemit në veri e as ne nuk duhet ta imponojmë atë temë. Do ta kemi shansin ta dëgjojmë përgjigjen e tij për propozimet tona të mëparshme se si të zgjidhet funksionalizimi i Jarinjës dhe Bërnjakut”, ka thënë Stefanovic.

Top Channel