NATO do të vazhdojë të qendrojë në Kosovë për të garantuar paqen dhe sigurine. Mbledhja e Ministrave të Mbrojtjes së Aleancës, ku Shqipëria përfaqësohet nga Arben Imami, konkludoi të mërkurën pasdite se misioni i KFOR-it është një histori suksesi dhe se gjatë trazirave të fundit në Veri të Kosovës, kjo prani ka ushtruar detyrën në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara.

“Ne vlerësojmë që KFOR-i reagoi me kujdes, palëkundshmëri dhe paanësi, në respekt të plotë të mandatit të OKB-ve. KFOR-i është një shembull i mirë i arritjes. Falë nesh, një pikë e nxehtë njohu paqen pas 12 vitesh. Dhe ne nuk do të lejojmë rivendosjen e dhunës. Do të vazhdohet mandati në garantimin e një klime të sigurtë dhe të qetë, duke ruajtur lirinë e lëvizjes”, tha Anders Fogh Rasmussen, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s kërkoi që Kosova e Serbia të vazhdojnë dialogun, madje shtoi se një dialog konstruktiv mundëson përparimin e vendeve të rajonit drejt Aleancës dhe Bashkimit Europian.

“I bëj thirrje të dyja palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive në atë dialog. Do të doja shumë të shihja që të gjitha vendet e Ballkanit të hedhin hapa para në marrëdhëniet e tyre me strukturat euro-atlantike, me Bashkimin Europian dhe NATO-n. Për të arritur këtë qëllim nevojitet një dialog konstruktiv politik”, shtoi ai.

Përvec Kosovës, Ministrat  e NATO-s ranë dakort për vazhdimin e misionit për mbrojtjen e popullsisë civile në Libi, si dhe diskutuan mbi cështje që do të ngrihen gjatë samitit të radhës në Cikago.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel