Banda e Durrësit, shtyhet pretenca

06/10/2011 00:00

Gjykata e Krimeve të Rënda shtyu të enjten dhënien e pretencës për
bandën kriminale të qytetit të Durrësit, e drejtuar dikur nga Lulzim
Berisha.

Mësohet se prokurori i cështjes, Anton Martini kërkoi dy ditë kohë për hartimin e pretencës për grupin kriminal.

Trupi gjykues, pas kërkesës së prokurorit deklaroi se shtyrja e pretencës bëhet për shkak të kompleksitetit të cështjes.

Muajin e kaluar, për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal që nga viti 1995 e në vijim, prokurorët e cështjes u detyruan të ndryshonin akuzat për 17 të pandehurit.

Në seancën e 15 shtatorit, prokurorët njoftuan në prani të të akuzuarve dhe avokatëve të tyre ndryshimet e akuzave për të gjithë, që nga Lulzim Berisha, Indrit Dokle dhe deri tek i penduari i drejtësisë Adriatik Coli.

Prokurori tha se, sipas legjislacionit, duke qenë se ligji i kohës kur është kryer vepra penale dhe ligji aktual janë të ndryshëm, zbatohet ai ligj dispozitat e të cilit janë më të favorshme për të akuzuarit.

Prokurori tha se akuzat për Lul Berishën do të ngrihen duke u bazuar në Kodin Penal të vitit 2007 dhe nga vrasje me paramendim akuza bëhet vrasje me dashje, e cila parashikon një dënim më të butë. Të njëjtin arsyetim prokurori bëri edhe për të akuzuarit e tjerë.

Po ashtu u pushuan disa akuza për tentativë vrasjeje që rëndonin mbi të penduarin Adriatik Coli, atë të trafikut të drogës për Indrit Doklen, si dhe u ndryshua pjesërisht akuza per Indrit Taullain, për krijim organzate kriminale.

Blindohet gjykata

Dhjetëra efektivë policie, që nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë të policisë së burgjeve, forca nga komisariati numër tre, oficerë civilë dhe polici nga sektori i ruajtjes së objekteve kanë blinduar gjykatën e krimeve të rënda.

Masat e rrepta të sigurisë u kërkuan nga vetë gjykata, për seancën e  dhënies së pretencës ndaj 17 personave të akuzuar si anëtarë të ish-bandës kriminale të Durrësit.

Në hyrjen ku futen gjyqtarët dhe ajo nga sillet dëshmitari i drejtësisë Adriatik Coli, ishin vendosur forcat e FNSH, ndërsa siç është bërë traditë tashmë në këtë ambient, më së pari janë kontrolluar ambientet me qen antieksploziv.

Nuk kanë munguar në këtë pjesë të gjykatës edhe oficere civilë. Në anën tjetër të gjykates, andej nga hyn publiku, ishin vendosur efektivë të policisë së burgjeve dhe forca nga komisariti numer tre.

Gjithashtu, automjetet që u panë të dyshimta edhe për shkak të parkimit të gabuar u larguan me karoatrece. Por, megjithë masat e larta të sigurisë, prokurorët nuk i lexuan konkluzionet e hetimeve për shkak se u duhet më tepër kohë dhe dosja është voluminoze.

Për këtë, gjykata i dha afat prokurorisë për t’u përgatitur deri në 10 tetor. Mësohet jo zyrytarisht se këto masa do të jenë të ngjashme edhe në këtë ditë, si edhe diten kur gjykata do shpallë vendimin.

Këto ishin masat më të forta të sigurisë që janë marrë ndonjëherë në këtë gjykatë. Megjithatë, zyrtarë të policisë dhe gjykatës nuk bënë të ditur nëse ka patur ndonjë informacion për ndonjë kërcënim të mundshëm.

Top Channel