Tiranë, hapet gjyqi i pronave

03/10/2011 19:50

Në prani edhe të një përfaqësueseje të ambasadës amerikane ka nisur në Gjykatën e Tiranës gjyqi civil për cështjen e pronësisë mbi 275 hektarë tokë në Hamallaj, padi e depozituar nga trashëgimtarë të Toptanasve, të cilët kërkojnë njohjen e pronësisë për këtë sipërfaqe.

Por kjo sipërfaqe toke pretendohet edhe nga familja dhe të afërm të gjyqtarit të vrarë Skerdilajd Konomi, e cila ka fituar edhe cështjen në Gjykatën e Lartë në muajin maj të këtij viti.

Konomët në këtë proces nuk janë palë, pasi kërkues dhe të paditur janë trashëgimtarë te familjeve Toptanse dhe Agjencia Kombëtare e Kthimit të Pronave.

Megjithatë, pak ditë para nisjes së këtij gjyqi, familja e gjyqtarit të vrarë, nëpërmjet letrave publike, adresuar presidentit, kryeministrit dhe disa ambasadave, kërkoi ndihmë për zhvillimin e një procesi të drejtë.

Gjyqatari Arjan Aliaj nuk e plotësoi kërkesën e familjes Toptani që këmbënguli që t’i vihej në dispozicion dosja për trashëgiminë e 275 hektarëve në Hamallaj.

Në seancë përfaqësuesi i AKKP-së, Erkan Dollani, tha se dosja nr.421 që mban datën 1 nëntor 2010 është sekuestruar nga prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë dhe për këtë arsye ajo nuk mund t’i vihet në dispozicion palës paditëse.

Më tej gjyqtari dëgjoi pretendimet e avokatit Tonin Prendi, përfaqësues i familjes Toptani, i cili depozitoi provat që sipas tij vërtetojnë se Nazmi Toptani, Bihter Toptani, Alma Struga, Rezart Mullai, Jusuf Hamzaraj etj, janë trashëgimtarë të 275 hektarëve që shtrihen në katër fshatra të bashkisë Sukth të Durrësit.

Për të dëgjuar pretendimet e AKKP-së, seanca u shty për në pesë dhjetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA