Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen deklaroi sot në Bruksel se nuk ka nevojë për hetime të vecanta mbi veprimin e ushtarëve të KFOR-it në veri të Kosovës.

“I kam marrë raportet dhe kam biseduar me presidentin Tadic. U kam ofruar serbëve informacione nëpërmjet kanaleve të zakonshme ushtarake. Trupat e KFOR-it kanë vepruar qartazi për vetëmbrojtje”, tha Rasmussen, duke iu referuar ngjarjes në Qeshmellug.

Këto komente ai i bëri në një konferencë për shtyp në Bruksel, para mbledhjes së ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s.

Ai theksoi se ministrat do të diskutojnë për Kosovën dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që t’u shmangen aksioneve të njëanshme dhe mesazheve nxitëse.

“I ftoj të gjithë që të angazhohen për dialog dhe jo për konflikte, pasi një e ardhme e sigurt dhe e qëndrueshme është në interes të të gjithjë qytetarëve në Kosovë”, tha Rasmussen.

Duke folur për praninë e KFOR-it në vendkalimet kufitare në pjesën veriore të Kosovës, shefi i Aleancës sqaroi se për NATO-n është e rëndësishme që të jetë atje për të mbrojtur të gjithë banorët.

“Në harmoni me mandatin tonë, ne jemi atje që të garantojmë siguri dhe liri të lëzivjes. Dhe në lidhje me këtë, ne ndihmojmë EULEX-in”, nënvizoi Rasmussen.

“KFOR-i është i treti që kundërpërgjigjet. E para vepron Policia e Kosovës, i dyti EULEX-i, ndërsa i treti KFOR-i”, saktësoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Ai shtoi se kriza e re në Kosovë ka treguar se sa shpejtë mund të shpërthejë dhuna dhe sa e rëndësishme është që NATO të vazhdojë misionin e tij atje.

Top Channel