Lëvizja Vetëvendosje e ka vlerësuar si të dështuar planin operacional të qeverisë së Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri.

“Me këtë operacion, qeveria e Kosovës po ia delegon sovranitetin KFOR-it dhe EULEX-it”, ka deklaruar kryetari i lëvizjes, Albin Kurti.

Sipas tij, gjuha e këtij plani ka të bëjë me tregtinë dhe degradimin e policisë e doganave të Kosovës, të cilat janë kthyer në institucione vëzhguese.

Muajin e kaluar lëvizja Vetëvendosje kishte propozuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës lidhur me situatën në veri. Por propozimi në fjalë u rrëzua nga partitë e tjera.

Partia e tretë më e madhe e Kosovës bëri të ditur pas rrëzimit të kërkesës se, ideja e seancës ishte që të diskutoheshin mënyrat se si qeveria kosovare duhet të reagonte ndaj ngjarjeve në veri.

Kryetari i grupit kuvendor të Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se, arsyeja e refuzimit të kësaj iniciative nga grupet kuvendore është pasi ato e kanë cilësuar një seancë të tillë si “shumë të ndjeshme”.

Ymeri u shpreh gjithashtu se, qeveria e Kosovës është zmbrapsur nga ndërhyrja e 25 korrikut në veri dhe se cdo ditë e më shumë po heq dorë nga ajo pjesë e vendit.

Ndërsa në një intervistë të dhënë pak ditë më parë për TCH, Kurti kërkoi që në këto momente dhune të Beogradit ndaj Prishtinës, Shqipëria të mos afrohet më shumë se c’duhet me Serbinë.

Top Channel