Ministri i Brendshëm serb, Ivica Dacic ka propozuar mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe cështjet “e kontestuara” të saj.

Në një prononcim për një televizion serb, Dacic është shprehur se Beogradi zyrtar duhet të dalë me një qëndrim konkret mbi statusin e serbëve të Kosovës, duke aluduar për opsionin e ndarjes së shtetit të ri të Ballkanit.

“Serbia nuk duhet të ëndërrojë më se e gjithë Kosova do të mbetet në territorin e saj”, është shprehur Dacic, njëkohësisht zëvendëskryeministër.

“Në këtë kontekst, duhet një konferencë ndërkombëtare për cështjet e kontestuara, të cilat nuk do të zgjidhen kurrë pa një konferencë të tillë”, ka vijuar ai.

Ministri i Brendshëm ka shtuar më tej se samiti i Dejtonit la të hapur mundësinë për zgjidhjen e të gjitha cështjeve të kontestuara në ish-Jugosllavi.

Prej kohësh qarqe të ndryshme politike në Serbi propozojnë shkëputjen e veriut të Kosovës në këmbim të njohjes së shtetësisë së saj.

Por ky opsion kundërshtohet nga qeveria e Prishtinës dhe faktori ndërkombëtar, që në takimet me zyrtarët kosovarë në Nju Jork deklaruan se territori i Kosovës është i paprekshëm.

Top Channel