Si i shmangen ekstradimit kriminelët shqiptarë në Britani?

02/10/2011 18:15

Një hetim i kryer nga gazeta më e madhe e së dielës “The Sunday Times”, ka zbuluar përmasat e përdorimit të ligjeve të të drejtave të njeriut në Britani nga shqiptarët që janë denuar për krime të kryera në vendlindjen e tyre për të shtyrë apo shmangur esktradimin në Shqipëri.

Që nga viti 2005, 36 kriminelë të kërkuar për t’u esktraduar nga Shqipëria janë arrestuar nga autoritetet britanike, por vetëm 18 prej tyre  janë dërguar në Shqipëri.

Sipas gazetës, shumica kanë fituar shtetësinë britanike duke u paraqitur si refugjatë kosovarë dhe mund të vuajnë dënime të gjata me burg, nëse rikthehen në Shqipëri, ku gjykatat i kanë dënuar në mungesë për krime që përfshijnë edhe vrasjet.

Zyrtarë nga Njësia e Ekstradimit në Scotland Yard thonë për The Sunday Times se janë duke punuar seriozisht me qeverinë për të përshpejtuar  proceset, si dhe për të pakësuar faturat ligjore dhe kostot e përfitimeve për ta, ndërkohë që betejat ligjore vazhdojnë nëpër gjykatat britanike.

Autoritetet britanike janë duke bashkëpunuar edhe me homologët e tyre në Shqipëri .The Sunday Times ka zbuluara se qeveria britanike nuk ka mundur të përdorë ligjet që mund të cojnë në deportimin e shqiptarëve, që kanë kryer krime në Britani dhe që kanë marrë shtetësinë me informacione të rreme.

Akti i Nacionalitetit i vitit 1981 lejon revokimin  e shtetësisë së një individi, nëse provohet se personi e  ka marrë atë përmes mashtrimit. Por Ministria e Brendshme britanike pranon se ligji kurrë nuk është përdorur për t‘i hequr dikujt shtetësine britanike.

Gazeta The Sunday Times  boton edhe emrat dhe fotot e disa prej kriminelëve që janë në pritje të ekstradimeve ose që kanë mundur t’i shmangin ato, duke dhënë edhe hollësitë e argumentave të përdorur prej tyre.

Një zëdhënëse e Home Office i ka thënë gazetës: “ne jemi duke punuar  seriozisht për t’i hequr shtetësine kujdo që e ka marrë atë përmes mashtrimit. Ne jemi në pritje të një rasti prove i cili do të na hapë rrugën për t’i hequr këtë të drejtë qindra vetëve që nuk e meritojnë.Një, rishikimi thekson zëdhënësja e Home Office britanik është duke u kryer aktualisht për të siguruar që ekstradimet nga Britania të jenë efektive”.

Ministrja e Brendshme Teresa Mei ka kërkuar tetorin e kaluar shqyrtimin e sistemit të ekstradimit dhe një raport për këtë ceshtje pritet të paraqitet brenda disa javësh.  

Top Channel