Karl Gega kishte një ëndërr…

02/10/2011 00:00

Ndue Dedaj – Njerëzit më ëndrra të mëdha kanë qenë mbase jo të shumtë, por kanë bërë epokë. Sepse ata kanë guxuar në radhë të parë përmes ëndrrës. Është bërë e përbotshme thënia e Martin Luter Kingut: “Unë kam një ëndërr”. Ahmet Osja, profesori i njohur shkodran, e ka fotokopjuar dhe e tregon kudo atë mbishkrimin latinisht mbi varrin e Karl Gegës në Austri, ku ai ka shprehur ëndrrën e madhe të tij për ta parë të lidhur me rrugë Adriatikun me Danubin.

E para gjë që mund të thuhet kur njihesh më këtë fakt interesant, është se sa shpejt ka guxuar gjeniu shqiptar i hekurudhave dhe tuneleve të famshme europiane dhe sa vonë ëndrra e tij po bëhet realitet. U duk se qe nisur “Korridori 8” ta mishëronte atë ëndërr, por ai sikur u shua… Kurse autostrada Durrës-Kukës-Prishtinë është më afër ëndrrës së Karl Gegës. Prandaj, kjo “Udha e Madhe” dhe tuneli i Thirrë-Kalimashit, si një “Semering” shqiptar, simbolikisht do të mbanin emrin e tij. Është grishës fakti që këtë tunelin tonë e ndërtojnë të huajt, amerikanët, teksa njëqind e pesëdhjetë vjet më parë, ishte ky shqiptar ai që ndërtonte tunelet hekurudhore mes alpeve të Europës. E pra, “ëndrra” është duke nxituar, kohët e fundit mediat kanë bërë me dije se së shpejti, deri në fundin e tetorit, dy gjymtyrët e së njëjtës autostradë, asaj Durrës-Prishtinë, do të lidhen me njëra-tjetrën në pikëtakimin doganor Morinë-Vërmicë. Segmenti prej 38 kilometrash deri në Suharekë, investim i Qeverisë së Kosovës, do të përshkohet me makinë për 20 minuta, ndërkohë që do të vijojë puna për pjesën tjetër të autostradës deri në Merdar, në kufi me Serbinë, çka e shton dhe më shumë rëndësinë e kësaj rruge në rajon, për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, duke e bërë Portin e Durrësit një port “VIP” në Ballkan.

Shumëkush ndër shqiptarë, teksa shihte këtë rrugë se si zgjatej drejt veriut të Shqipërisë para dy vjetësh dhe tani si zgjatet drejt veriut të Kosovës pjesa tjetër e saj, nuk mund të mos çojë ndërmend vitin e jashtëzakonshëm 1999, kur “legjionet” e shqiptarëve të dëbuar nga trojet e tyre, me kamionë e traktorë rrugorë të mbuluar me plastmas, me fëmijë që qanin pa pushim, iknin drejt jugut kosovar, kapërcenin Morinën dhe mbanin frymën një çast në tokën amë. Ishte e pamundur që nga mallkimi i tyre i madh, po dhe nga shpresa e tyre njëherësh, të mos mbarsej një rrugë e tillë.

“Rruga e Kombit”, si pohim dhe refuzim njëherësh

Autostrada Durrës-Kukës-Morinë?… Edhe shumë e vlerësuar, edhe e përfolur. “E mirë, more, e mirë, po me paratë që u deshën për ndërtimin e saj do të ishin bërë dhe nja dy të tjera”. “E mirë, po ka pasur korrupsion të madh në ndërtimin e saj…” Ky është stili ynë i pranim-refuzimit të njëkohshëm, jo vetëm i kësaj vepre madhore, i paragjykimit thuajse të çdo gjejë të re. Diku ngaqë përzihet politika, diku nga mosnjohja, diku se mbase e tillë është natyra njerëzore, shpeshherë cinike. Ndoshta dhe nga një lloj psikologjie “urbane”, për ta mbajtur qytetërimin për vete e ato katundet për t’i lënë në shejtninë e tyre. Mund të thotë dikush; pse prapë me këtë temë, tashmë që rruga është bërë e vjetër për mediat, për politikën? E para, se pikërisht tani mund të kundrohet me gjakftohtësi teprimi propagandistik që ka ndodhur me të, si në rastin e mbipërdorimit qeveritar, me inaugurime disa herë të segmenteve të saj apo tunelit (jo krejtësisht të përfunduar), si në rastin e keqpërdorimit opozitar, ku qe ngritur një stuhi e tërë ndaj abuzimit me rrugën, gjë që nuk u vërtetua ndonjëherë. Sikur ka mbetur një si shije e keqe nga ajo kohë, se prapë disa kanë droje të flasin mirë për rrugën, se mos na dëgjon dikush atje lart e i prishet qejfi. E dyta arsye pse e zëmë në gojë, është se në Kosovë, e quajtura “Rrugë e Kombit” në ndërtim as nuk mburret, as nuk përflitet. Shkurt, nuk përdoret. Nuk është ngritur deri tani ndonjë stuhi ndaj saj, ndonëse kritika dhe mund të ketë pasur. Duhet të ketë përherë denoncim publik e ligjor të abuzimeve e shpërdorimeve të fondeve, kudo ku ndërtohet, por jo përfitim të qëllimshëm politik, elektoral. Rruga ka qenë si një tabu, që nuk prekej, nuk fyhej, ndaj se si ndihet njeriu kur dëgjon shprehjet: “fëmijë të rrugës”, “fjalor rruge”, “qen rrugaç” etj. Nuk është faji i rrugës, por i njeriut, që rrugën jo gjithnjë e sheh si një gjë të bekuar, që ka të bëjë me lëvizjen, zhvillimin, përkryerjen e ëndrrës së tij.

Mendësia bashkëkohore, më parë se infrastruktura

Ka mendime që shqiptarët janë të hapur ndaj së resë, modernes, mirëpritës të saj, siç ka dhe nga ata që mendojnë se jemi një popull konservator, që nuk shkulemi lehtë prej së vjetrës. Këtë e tregon dhe ngadalësia me të cilën kemi ecur në rrugën e demokracisë, me mjaft dilema, pengesa, vonesa. Pa folur për natyrën shpërdoruese të vlerave autentike historike, pavarësisht se në cilën kohë janë krijuar. Në thelb asgjë e re nuk ka ndodhur. Qeveria komuniste nuk pranoi asgjë nga koha e Mbretërisë, ku për të viti më i zi shqiptar i referueshëm në statistikën zyrtare ishte 1938-a. Po kështu, më përtej në kohë, e mirë në tërësi, por me gabime ideologjike, ishte Rilindja Kombëtare! Ashtu si tash njëzet vjet është herezi të përmendet diçka pozitive nga regjimi monist, si zhdukja e analfabetizmit apo sistemi energjetik, që vazhdon të na mbajë “gjallë” dhe sot me ngarkesën e disafishtë të rrjetit kombëtar etj. Shqiptarët janë mësuar të mos thonë asgjë pa “por” nga mbrapa. Gjithmonë pjesa e dytë e fjalisë do të jetë mohuese, madje duket se më shumë peshon kjo. Kështu ishte zakoni dje, raporti i ndërmarrjes, shkollës, organizatës, komitetit, thoshte dy gjëra pozitive dhe pastaj ndalonte në kritikat dhe vërejtjet e pafundme. Ndaj dhe sot duket se kemi mbetur peng i asaj mendësie, teksa paraardhësit tanë e kishin zakon t’i thoshin të bardhës e bardhë dhe të zezës e zezë, pa u përpjekur për të bërë shartim mes tyre.

Nëse kthehemi sërish te ‘Rruga e Kombit’, që në të vërtetë nesër do të jetë dhe e përtej-kombit, rrallëkush ndalet të “numërojë” makinat që kalojnë aty, ku në ditët e verës mund të kenë kaluar dhe njëzet mijë në ditë. A ndodh kjo në një rrugë tjetër shqiptare? Kjo ndodh për faktin se kësaj rruge madhore lëviz jo vetëm Shqipëria, por dhe Kosova, dy shtete të një populli. Nuk kanë qenë të rastit fjalët e Dritëro Agollit në kulmin e debatit politik për këtë rrugë, se pas njëzet vjetësh nuk do të pyesë kush se sa ka kushtuar ndërtimi i saj. Do të kishim dëshirë t’i shtonim kësaj, se atëherë nuk do të pyesë kush edhe se cila qeveri, e majtë apo e djathtë, e ka ndërtuar rrugën në vitin 2007-2009, apo pjesën kosovare më pas, kush ia ka prerë shiritin etj. Atëherë do të shihet si një arritje e infrastrukturës shqiptare, e shtetit shqiptar, këtij dhe atij, e politikës kombëtare me dhe pa protokoll.

Ëndrra e papërfunduar, integrimi europian

Karl Gega, njëri nga strategët e infrastrukturës së Europës, ia “postoi” ëndrrën e tij të papërfunduar kohës moderne. Por ëndrra europiane e shqiptarëve, dhe jo vetëm e tyre, ende nuk ka “mbaruar” së kryeri, jo vetëm se ‘Udha e Madhe’ ende nuk ka sosur, por dhe se Mitrovica veriore vazhdon të mos jetë e qetë, ngaqë serbët ende vendosin barrikada në rrugë, ani se rrugët janë dhe për ata e integrimin e tyre. Rrugët, qysh nga “Egnatia” e këndej, kanë qenë gjithmonë lajmëtare dhe sjellëse të qytetërimit. Aq më shumë autostrada Durrës-Prishtinë, që niset nga Adriatiku, përshkon trojet etnike shqiptare, si një “vazhdë” e pandalshme progresi drejt Danubit…

Top Channel