Dita e 58-të e protestës/ Pas tensionit të paradites para Kuvendit, tubimi u zhvendos sërish në bulevard

27/07/2026 22:20

Pas tensioneve para Kuvendit, protesta e 58 e vijoi rutinën e përnatshme para Kryeministrisë. Nuk munguan akuzat për dhunë ndaj policisë, por kërkesa e protestuesve mbetet e njëjtë: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe gjithë klasës politike.

Nga sheshi i protestës u bë një thirrje dhe për kreun e opozitës, Sali Berisha.

Ashtu si në seancën e kaluar plenare, edhe të hënën, protesta e 58 nisi prej mëngjesit para godinës së Kuvendit, e cila ishte rrethuar nga forcat e policisë.

Vezët dhe domatet që i kishin marrë për deputetët, protestuesit i hodhën ndaj efektivëve, që nuk i lejuan të hynin në institucion.

Pas përplasjeve, policia shoqëroi disa prej protestuesve, duke zhvendosur protestën nga Kuvendi drejt komisariatit numër 1, ku u prit me brohoritje lirimi i të shoqëruarve.

Top Channel