Kërkesa e AP në OKB, SHBA bllokon ndihmën

01/10/2011 03:05

Shtetet e Bashkuara vendosën tërheqjen e ndihmës prej 200 milion dollarësh për Autoritetin Palestinez.

Vendimi vjen pas kërkesës së paraqitur nga presidenti i AP në Kombet e Bashkuara për njohjen e shtetit të Palestinës, kërkesë kjo e kundërshtuar fort nga SHBA, e cila ka paralajmëruar se në rast se kërkesa shtrohet në Këshillin e Sigurimit, do të vendosë veton e saj.

Lideri palestinez Mahmoud Abbas dorëzoi të premten e kaluar kërkesën e tij në Kombet e Bashkuara për njohjen e shtetit palestinez në kufijtë vitit 1967.

“Palestinezët kishin hyrë në negociata me Izraelin me qëllime të sinqerta, por ato dështuan për shkak të kolonive izraelite”, deklaroi Abbas para Asamblesë së OKB-së.

Por kërkesa kundërshtohet fort nga SHBA dhe Izraelit, që  thonë se një shtet palestinez mund të pranohet vetëm nëse arrihet me negociata me palën izraelite dhe jo përmes rezolutave në OKB.

Tashmë ka kaluar më shumë se një javë nga depozitimi i kërkesës së Autoriteti Palestinez, e cila në mesjavë u mor në shqyrtim nga Këshilli i Sigurimit. Por për të mësuar nëse KS dhe Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashhkuara do ta pranojnë apo do ta rrëzojnë kërkesën palestineze, duhen pritur edhe disa javë të tjera, ndoshta edhe muaj.

Top Channel