Filipinet përshkohen nga tajfuni i dytë

01/10/2011 10:15

Tajfuni i dytë në më pak se një javë po godet veriun e Filipineve, me erëra të dhunshme dhe shira të dendura.

Tajfuni “Nalgae” ka goditur rajone që ishin ende të përmbytura për shkak të stuhisë së mëparshme, “Nesat”, dhe autoritetet kanë paralajmëruar përmbytje dhe rrëshqitje të reja toke.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se shumë banorë jetojnë në taracat e shtëpive, në pritje për t’u shpëtuar.

Filipinet preken shpesh nga tajfunet, rreth 20 në vit. “Nalgae” ka shkaktuar ndërkohë rrëshqitje toke në provincën lindore të Isabelës, me erëra që fryjnë deri në 160 kilometra në orë, të cilat janë drejtuar për në perëndim duke kaluar nga ishulli Luzon.

Informacionet e para flasin për dëme materiale në zonat e prekura, por jo për viktima. Stuhija po ndjek pak a shumë të njëjtat rrugë që ndoqi edhe tajfuni “Nesat”, që goditi vendin ditën e martë, duke lënë të paktën 50 të vdekur dhe mijëra të pastrehë.

Dhjetëra mijëra banorë janë transportuar në qendrat e evakuimit, ose në shtëpitë e të afërmve, por shumë të tjerë janë ende të bllokuar për shkak të përmbytjeve.

Autoritetet deklarojnë se mbi 1 milion nga 48 milionë banorët e ishullit Luzon kanë mbetur të bllokuar dhe se shumë qytete janë ende nën ujë.

Duket se operacioni i nisur pak ditë më parë për të pastruar vendin nga dëmet e shkaktuara nga tajfuni “Nesat” kanë shkuar dëm. 

Top Channel