Aleanca Kuqezi themelon degën në Bruksel

01/10/2011 13:00

Aktivistët e Aleancës Kuqezi kanë themeluar të shtunën degën e saj në Bruksel, ku kanë zhvilluar edhe një tubim me emigrantët shqiptarë në Belgjikë.

Gjatë këtij tubimi, aktivistët kanë përsëritur qëndrimin e tyre kundër opsionit të fesë dhe etnisë në procesin e regjistrimit, duke nënvizuar se shqiptarët janë një komb i vetëm.

“Në BE do integrohemi vetëm, do të bashkohemi si shqiptarë dhe jo si kosovarë e maqedonas”, ka deklaruar përfaqësuesi i Aleancës.

Aktivistët janë shprehur se, sot shqiptarët nuk kanë nevojë të numërohen por të respektohen.

“Shqipëria dhe Kosova mbetën të fundit për në Bashkimin Evropian. Politika më e mirë është shqiptarizmi”, kanë shtuar ata.

Më herët gjatë ditës, përmes një komunikimi nga Tirana, Aleanca u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit, por jo duke plotësuar pjesën për etninë dhe fenë.

“Merrni pjesë në regjistrim, Gjykata Kushtetuese i vuri vulën “kuqezi” censusit”, ka deklaruar Aleanca.

Grupimi ka garantuar qytetarët se do të mbrojë me cdo kusht integritetin, ndryshe nga Parlamenti që shpërfilli 40 mijë shqiptarë.

“Ne do vazhdojmë të mbrojmë në cdo kohë kauzën shqiptare”, kanë shtuar aktivistët e saj.

Themelimi i degës në Bruksel është pjesë e planit të Aleancës Kuqezi për shtrirjen e veprimtarisë së saj në shtetet ku jetojnë emigrantë shqiptarë.

Përfaqësues të grupimit njoftuan nisjen e operacionit të ri të pagëzuar me emrin “Maratona Kuqezi”, që do të përqendrohet në metropolet kryesore të botës ku jetojnë shqiptarë.

Top Channel