Korçë, biznesi hap dhe mbyll aktivitetin

30/09/2011 08:40

Në Korçë biznesi nuk e ka ende të qartë se me çfarë aktiviteti të merret, kurse jetëgjatësia e privatit paraqitet e shkurtër.

Të dhënat nga regjistri i bizneseve paraqesin një situatë kaotike, ku shumë biznese hapin aktivitetet e tyre, ku dhe plot të tjerë i mbyllin në fundit të vitit.

Pertika Tollkuçi, shef i zyrës së tatimeve dhe taksave pranë Bashkisë Korçë, bën të ditur se gjendja nuk paraqitet aspak pozitive për sa i përket numrit të subjekteve që regjistrohen dhe brenda një kohe të shkurtër edhe çregjistrohen.

“Janë 152 subjekte që kanë aplikuar për mbyllje aktiviteti, dhe 92 të tjera kanë kërkuar pezullimin e licencës”, thotë Tollkuçi për gazetën ‘Shqip’, duke iu referuar të dhënave nga QKR.

Sipas tij, numri i subjekteve private të biznesit të vogël që regjistrohen për fillim aktiviteti, në krahasim me ato që deklarojnë mbylljen apo pezullim aktiviteti, është thuajse i njëjtë çdo vit.

Ndryshe nga vitet e kaluara, gjatë 2011-s vërehet një rënie e numrit të bizneseve të vogla, kryesisht ato që ushtrojnë tregtinë me pakicë.

Top Channel