Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin qeverinë e Kosovës për vendosjen e kontrollit kufitar dhe doganor në pjesën veriore te vendit.

Kështu thuhet në një komunikatë të shpërndarë nga qeveria e Kosovës, në të cilën jepen detaje mbi takimin e zhvilluar mes ndërmjetësit të BE-së për dialogun teknik me Serbinë, Robert Cooper, ndihmësit kryesor të nënsekretarit amerikan të Shtetit Philip Reeker dhe shefes së delegacionit kosovar, Edita Tahiri.

“Në këtë takim u konstatua se ky raund i dialogut u anulua për faj të palës serbe, e cila u tërhoq pasi dështoi në imponimin e temave të bisedimeve, duke shkelur kështu detyrimet e marra nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për dialogun dhe parimet evropiane”, thuhet në komunikatë.

Sipas dokumentit, zëvendëskryeministrja Tahiri shtroi për diskutim bllokimin e implementimit të marrëveshjeve të arritura, si dhe dorëzoi raportin zyrtar të qeverisë së Kosovës për këtë cështje.

Ajo theksoi se, pala kosovare ka qenë dhe mbetet e angazhuar për suksesin e dialogut teknik, por vlerësoi se celësi i suksesit të dialogut është implementimi i marrëveshjeve.

Në komunikatë thuhet më tej se, në takimin me zotin Cooper dhe përfaqësuesin e zotit Reeker, pala kosovare kërkoi që Kosova, “për arritjet e saj në dialog”, të ketë marrëdhënie kontraktuale me BE-në.

Top Channel