Shefi i misionit EULEX, Xavier Bout de Marnhac ka deklaruar se institucionet e Kosovës janë gati të trajtojnë vetë cështje serioze që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Në një intervistë për RTK, De Marnhac është shprehur se nga ana e tij, EULEX po merret me disa raste krimesh të rënda dhe ka refuzuar të komentojë deklaratat se misioni evropian ka pësuar një stanjacion në veprimtarinë e tij.

“Nuk e di se cfarë doni të thoni me stanjacion, por ne kemi ngritur akuza për disa cështje serioze. Ne kemi 75 raste të lidhura me korrupsion dhe 26 të tjera me krim të organizuar”, ka pohuar De Marnhac.

“Nuk mund të jap hollësi mbi këto cështje, pasi nuk mund të ndërhyj në proceset gjyqësore, por e rëndësishme është se ne po punojmë me institucionet e Kosovës, hetuesit dhe prokurorët e saj, të cilët janë tërësisht të zotë të merren me disa cështje serioze, sepse një gjë e tillë deri më sot ka munguar”, ka nënvizuar De Marnhac.

I pyetur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi imunitetin e deputetëve, shefi i misionit evropian ka refuzuar të bëjë komente dhe ka kërkuar respektimin e plotë të vendimit.

“E rëndësishme është që ne ta respektojmë këtë vendim, të cilin e kanë miratuar njëzëri institucionet e Kosovës. Ne si mision e respektojmë plotësisht këtë vendim, që ka sjellë qartësim jo vetëm për EULEX-in, por për të gjithë”, ka deklaruar De Marnhac.

Duke qëndruar tek gjyqësori, zyrtari evropian ka vlerësuar progresin që ka bërë ky sektor, pavarësisht se konsiderohet si ndër më të korruptuarit dhe më të ndikuarit nga politika në Kosovë.

Top Channel