Alexandre Pato, sulmuesi i Milanit, do të qëndrojë larg fushave për 1 muaj.
Klubi kuqezi, nëpërmjet një komunikate të publikuar në faqen zyrtare në internet, bën të ditur se braziliani iu nënshtrua vizitave mjekësore të enjten dhe këto vizita kanë nxjerrë në pah një dëmtim në muskulin e kofshës së këmbës së djathtë.
Pato u dëmtua në minutën e 18 të ndeshjes Milan-Udinese dhe i shtohet listës së gjatë të të dëmtuarve në skuadrën e Milanit.
“Nuk kam çfarë të them”, është shprehur Adriano Galliani pas diagnozës.
Më parë, Galliani pati shprehur shqetësim për dëmtimin e sulmuesit.
“Këtë mëngjes kam kryer një takim me trajnerin, përgatitësin atletik dhe mjekët për të kuptuar se si ky djalë i cili në 2008-n dhe 2009-n nuk ka patur asnjë problem, tani është ndalur për problemin muskulor të radhës”, kishte deklaruar Galliani, në pritje të analizave të brazilianit.
Top Channel