
Mustafa Nano – Po ndiqja parmbrëmë në TV ngjarjen në ish-Kinostudio, dhe
të them të drejtën, ish një ngjarje që më kapi në befasi. Me vendimin
për të prishur Piramidën, e quaja të mbyllur historinë e karfosjes mes
pushtetit të Berishës dhe “Top Channel”-it.
Është histori e vjetër, tanimë, kjo e marrëdhënieve të Berishës me këtë televizion. I pari nuk e ka dashur kurrë të dytin, madje e ka urryer en bloc, me pronar, drejtues e gazetarë, ndërsa i dyti, d.m.th “Top Channel”-i, ka qenë gjithë kohën kundër tij. Ka qenë një linjë editoriale e diktuar prej Dritan Hoxhës, i cili e shihte Berishën, sa qe gjallë, si një “diçka të turpshme e të frikshme që kish prodhuar ky vend” (fjalët e futura brenda thonjëzash nuk janë të tijat; janë të miat, teksa përpiqem të sintetizoj fare pak biseda që kam bërë me të). Dhe e luftonte nëpërmjet televizionit, por me ca skrupuj, pa e nxjerrë televizionin për fare nga binarët e korrektesës dhe respektit për shikuesit; ndryshe, “Top”-i nuk do ishte kaq i shikuar.
Në nja dy raste e ka nxjerrë, megjithatë. Një herë e mbaj mend mirë, pasi mbeta i shock-uar dhe vetë. Lajmet e “Top Channel”-it u hapën me një sulm të fortë e virulent kundër Berishës; zgjati nja 10 minuta ky sulm, dhe kish formën e një qëndrimi redaksional të lexuar nga Sonila Meço. Berisha, dihet, ua ka kthyer 100-fish kusurin; nuk kish lënë gjë pa i thënë Dritan Hoxhës para këtij momenti, nuk la gjë pa thënë e pa bërë pas këtij momenti, e sidomos pasi erdhi në pushtet. Berisha nuk hezitoi t’i bënte dhe një kryqëzim moral postum, disa orë pas vdekjes. Hm, di t’i bëjë mirë ai këto gjëra. Dhe kënaqet kur i bën. Madje, dhe i bëjnë mirë për shëndetin. Gjak e dhjam i bëhet çdo sjellje harbute.
Ka shkelur në nja dy raste në “Top Channel”, por s’mbahet mend qysh kur. Duhet të kenë qenë momentet e para për “Top”-in. Por s’ka për të shkelur më; s’ka për të shkelur, nëse të dyja palët mbeten në këto llogore. Duhet që Berisha të jetë në një hall të madh, që të pranojë të shkojë në studiot e Ballës, të Xhungës, të Dudushit etj. Këta të fundit do ta donin, madje e kanë kërkuar ta kenë në programet e tyre. E them këtë si një fakt, e jo për t’u njohur ndonjë meritë këtyre kolegëve të mi, as drejtuesve e pronarëve të televizionit (Berisha është kryeministër, e s’mund të injorohet nga asnjë media). Edhe unë e kam ftuar në “Déjà Vu”; e ftova nëpërmjet dikujt, që nuk vonoi të më sillte përgjigjen e tij të stilit luftarak: në atë televizion nuk shkoj. I dërgova një sms më pas, ku e ftoja në vetë të parë (mund të dilte një “Déjà Vu” e lezetshme, apo jo?), por nuk më ktheu përgjigje. Idhnak dhe njëngjyrësh deri në fund. Mund t’ia lexosh vendimet dy javë përpara se t’i marrë.
Po pse e vijon ende këtë betejë? Nuk ka lidhje me “Top Channel”-in si “Top Channel”. Ka njerëz që e shpjegojnë (mes të cilëve, në mos gaboj, Spartak Ngjela) me urrejtjen që një parvenu si Berisha ka ndaj modernitetit. Por nuk duket se është kështu. Është ca i kërkuar ky shpjegim. Shpjegimi është, sipas meje, shumë më i thjeshtë, dhe larg arsyetimeve të sofistikuara me natyrë psiko-antropologjike: ai e ka urryer “Top Channel”-in si një agjent opozitar me shumë ndikim në Shqipëri. E ka urryer dhe e urren pra për ato motive që urren çdo kritik të tijin, që nga ambasadori danez e deri tek Edi Rama. Ka një mënyrë që ai ta urrejë më pak: “Top Channel”-it duhet t’i bjerë shikueshmëria. Ka dhe një mënyrë që t’mos e urrejë fare: “Top Channel”-i duhet të zhbëhet, të falimentojë e të mos ekzistojë. Ka madje dhe një mënyrë që ai të bjerë në dashuri me “Top Channel”-in: “Top Channel”-i duhet t’i shërbejë atij.
Mund të mendohet se Berisha nuk ka lidhje me ngjarjen në ish-Kinostudio, dhe se ajo që po ndodh është e kurdisur nga Basha-Çashku. Personalisht, nuk e besoj kurrë këtë gjë. Lulzim Basha duket një djalë që ka frikë të dhunojë ligjin, rregullat, vendimet, etj., dhe ai mund t’i shkelë ato vetëm në një rast: kur e urdhëron Berisha ta bëjë.
Dhe në këtë histori, u tentua të dhunohet një leje e KRT-së së Bashkisë së Tiranës dhe një kontratë e nënshkruar nga “Top”-i dhe nga Ministria e Ekonomisë, sipas së cilës ai truall e objekt, ku Çashku don të ndërhyjë, është marrë me qera nga televizioni, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave. Madje, ajo qera është lidhur, me sa di unë, pa kërkesën e “Top”-it. Berisha donte të neutralizonte zhurmën e donte të jepte një provë dashamirësie ndaj “Top”-it në kulmin e namit si armik i media-s, dhe ka urdhëruar Ministrinë e Ekonomisë t’i lidhë kontratë qeraje. Kam përshtypjen se edhe vetë e ka thënë një herë publikisht, që “‘Top’-it ia kemi dhënë vendin; le të shkojë atje, me televizionet e tjerë”.
Ishte shumë e shëmtuar skena, ku policët bënin rolin e budallenjve të pagojë; ishin aty dhe bënin sehir sherrin mes palëve; ishin aty për të ndërhyrë, por nuk mund të ndërhynin, pasi nuk kishin urdhër. Nuk dihej se ç’këshillë e porosi u kishin dhënë. Dhe Bashkia nuk ka dhënë ende një shpjegim. Nuk ka nxjerrë një zëdhënës, a një nëpunës, të na thotë se si qëndron puna, pse policia bashkiake ishte atje, e pse nuk ndërhynte për të ndihmuar palën e pajisur me të gjithë dokumentacionin. “Top Channel” do duhej të ish i mbrojtur nga ky dokumentacion, por këtu nuk ka dokumentacion që të të mbrojë. Policia nuk do t’ia dijë për dokumente. Policia u bindet vetëm urdhrave. Dhe kur nuk ka urdhër, rri e bën sehir. Në fund të fundit, ata e dinë se më kë duhet të jenë, ata e dinë se kush është agjenti opozitar për t’u luftuar.
Edhe sa kohë do të vazhdojë kjo betejë e pushtetit me “Top-Channel”-in?
Top Channel