Shpërthim në varrezën e makinave, vdes 24-vjecari

21/09/2011 00:00

Një 24-vjeçar nga Elbasani ka gjetur vdekjen gjatë kohës që ka qenë duke
punuar në një varrezë makinash. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së
Elbasanit, ngjarja ka ndodhur paraditen e së mërkurës, në hyrje të
qytetit të Librazhdit ku Besnik Bala ka qenë duke prerë me troko një
bombul.

Po kështu burimet bëjnë me dije se 24-vjeçari prej disa mujash ishte punësuar në pikën e varrezave të automjeteve, e cila njëkohësisht funksiononte edhe si pikë skrapi. Ndërsa burime jozyrtare thonë se i riu mund të ketë vdekur nga shpërthimi i një predhe, që u është blerë banorëve që mbledhin skrap në Poligonin e Zgarës. “Dyshohet që predha të ketë qenë e pashpërthyer. Në këtë pikë skrapi banorët e fshatit Kuterman dhe Togëz shesin copat e metalit që dalin nga shpërthimet e municioneve luftarake në malin e Zgarës”, citojnë burimet nga vendi i ngjarjes.

Ndërkaq policia ka shoqëruar në Komisariatin e Librazhdit  pronarin e  pikës së varrezave të automjeteve, për të dhënë detaje rreth ngjarjes. Mësohet se i riu ka gjetur vdekjen e menjëhershme si pasojë e plagëve të rënda që ka marrë në trup. Materialet pritet t’i kalojnë Prokurorisë së Rrehtit Gjyqësor të Elbasanit për të vijuar hetimet.

Top Channel