Janë luajtur edhe ndeshjet e tjera të javës së tretë të Serisë A, ku ka zhgënjyer sërish Milani edhe pse ka marrë një pikë nga barazimi 1-1 me Udinezen në San Siro.
Kampionët e Italisë janë paraqitur në këtë takim me 13 mungesa, e si rrjedhojë nuk kanë shkuar më shumë se barazimi.
Di Natale shënon në minutën e 30-të pas një gabimit të Abiatit në kontrollimin e topit, e me këtë rezultat 0-1 janë mbyllur 45 minutat epara.
Në pjesën e dytë El Sharaui, zëvendësuesi i Patos që u dëmtua, shënon golin e tij të parë zyrtar me Milanin duke e shpëtuar nga humbja në fushën e tyre.
Në barazim është mbyllur edhe ndeshja tjetër mes Juventusit dhe Bolonjës. Vucinic në fillim zhbllokon rezultatin duke shënuar në minutën e 29-të ndërkohë që del me kartonin e kuq në mbyllje të pjesës së parë.
Në të dytën Portanova shënon golin e barazimit për Bolonjën duke përfituar nga një hutim i mbrojtjes bardhezi. Rastet e tjera për Juventusin nuk kanë rezultuar të suksesshme deri në mbyllje të takimit.
Ndërkohë Lacio i është rikthyer fitores duke përmbysur rezultatin. Golit të Mutus në minutën e 14-të i kundërpërgjigjet Hernanez në minutën e 48-të dhe Klose pak minuta më vonë duke i dhënë tre pikë të rëndësishme kryeqytetasve. Në këtë ndeshje luajti disa minuta edhe shqiptari Lorik Cana. Lojtari kuqezi u fut në lojë në minutën e 87 duke zëvendësuar Brokin.
Top Channel