Milan vazhdon të projektojë të ardhmen dhe mesfusha është reparti që duket se ka nevojë më shumë për përforcime.
Kuqezinjtë po vëzhgojnë me kujdes situatën e mesfushorit serb të Juventusit, Milos Krasic, të cilin e kanë ndjekur me interes edhe kur luante për rusët e CSKA.
Serbi nuk ka një marrëdhënie të mirë me trajnerin e Juventusit Antonio Conte dhe mund të mendojë seriozisht për të ndërruar skuadër. Gjithsesi, ende është herët për të parashikuar një transferim të bjondit në Milano.
Gjithashtu, një lëvizje tjetër në mesfushën e Milanit mund të jetë edhe largimi i Gennaro Gattusos. Mesfushori, kontrata e të cilit skadon në vitin 2012, vazhdon t’i pëlqejë Anzhit.
“Interesi i Anzhit për Gattuson ka qenë dhe mbetet. Së shpejti do të flas me Gallianin dhe do të shohim se çfarë do të bëjmë”, është shprehur prokuratori i futbollistit italian.
Pronari i Anzhit, Suleiman Kerimov është i gatshëm t’i ofrojë 34-vjeçarit një kontratë 2-vjeçare dhe një pagë prej 8 milionë eurosh në sezon.
Top Channel