Christian Constantin, presidenti i klubit zviceran të Sionit, ka hedhur një hap tjetër përpara në luftën e tij kundër UEFA-s.
Constantin kërkon nga presidenti i organizmit drejtues të futbollit europian, Michel Platini, që të pranojë verdiktet e gjykatave dhe të paralizojë grupin I të Europa League deri sa të rikthehet Sioni në këtë kompeticion në vend të Celtic.
“Po përgatisim padinë penale dhe kemi kërkuar nga gjykatësi zbatimin e ligjit. Nëse ligji nuk zbatohet në mënyrë të menjëhershme nga presidenti i UEFA-s, Michel Platini, atëherë policia duhet ta arrestojë atë”, u shpreh Constantin.
Gjyqtari Hack, i gjykatës zvicerane të kantonit Vaud, dha të premten verdiktin se UEFA duhet të shpallë të pavlefshëm rezultatet dhe klasifikimin e grupit I të Europa League, në të cilin bëjnë pjesë Atletico Madrid, Udinese, Rennes dhe Celtic (ekipi që ka zëvendësuar Sionin në këtë kompeticion për parregullsi nga ana e zviceranëve).
“UEFA po gabon rëndë. Sioni mbështetet nga dy vendime gjykate dhe kemi të drejtë të luajmë në Europa League”, shton presidenti.
Sioni u përjashtua nga Europa League për shkak se në ndeshjet eliminatore ndaj Celtic futi në lojë 5 lojtarë që nuk ishin të regjistruar.
Top Channel