Në javën e tretë të Ligës BBVA ajo që bie në sy është ndalesa e Barcelonës, e cila ka barazuar me rezultatin 2-2 në takimin me Real Sociedadin në transfertë.
Dukej një fundjavë si të tjerat në kampionatin spanjoll, por katalanasit e fillojnë ndeshjen pa yjet e tyre kryesorë, duke menduar për ndeshjen e Champions-it në mesjavë me Milanin.
Shumë shpejt skuadra e Guardiolës e sheh veten në avantazh të dy golave, në fillim Xavi dhe më pas Fabregas thyajnë portierin e Sociedadit, por nuk mbyllet lehtë si gjithmonë kjo ndeshje për Barcelonën.
Në pjesën e dytë është Agiretkse që ngushton diferencën, ndërsa për golin e dytë mendon David Vija që bën një gabim duke kthyer topin nga mesfusha te portieri Valdes, por nga ky gabim përfiton Grizman për të çuar shifrat në 2-2.
Ndërkohë, ka përfituar Reali Madridi nga ky hap fals i kundërshtarëve të tyre pasi ka fituar 4-2 ndaj Getafes. Dy gola të Benzema, një i Kristiano Ronaldos me 11-metërsh dhe në fund një gol i Higuain i japin këto tre pikë skuadrës së Mourinjos, që merr dhe kryesimin e klasifikimit, ndërkohë që për Getafen nuk mjaftojnë dy golat e shënuar nga Miku.
Edhe takimi tjetër mes Vilarealit dhe Seviljes ka përfunduar në barazim 2-2.
Top Channel