Behar Gjoka – Ka disa kohë që skena politike dhe mediatike, po zien në
një mënyrë të habitshme, sidomos në lidhje me institucionin e
Presidentit.

Listimi i emrave, pra i kandidatëve të mundshëm apo edhe krejt të rastësishëm, për të marrë fronin e Presidentit, gjatë fundgushtit dhe fillimshtatorit, me gjithë vapën dhe zagushinë e pranishme, gati–gati u shndërrua në një furi emrash, gjithnjë dhe vetëm të politikës aktive dhe pasive. Pikërisht, ky fakt i hedhur si rastësisht në shtypin tonë, ta tërheq vëmendjen, se duket më tepër sikur është hapur një garë për këtë detyrë, që më shumë anon nga tenderi se kush i ka më tepër në dorë çelësat e politikës, ka më tepër mundësi që ta shtijë në shuplakë të dorës edhe postin më të lartë të hierarkisë shtetërore. Të bën jo pak përshtypje, qasja garuese drejt Presidencës, sepse në morinë e ngarkesave politike, madje të krijuara nga vetë politika, e majtë dhe e djathtë, për çështjen e integrimit në BE, ku edhe në këtë rast kemi një situatë amorfe, pra debate pa debat për çështjen e Presidentit, që realisht vetëm sa thellon edhe ca më shumë hendekun në mes dy krahëve të politikës shqiptare, si dhe e thellon gjendjen e normalitetit anormal. Dalja në skenë e emrave të kryetares aktuale të Parlamentit shqiptar, të Kryeministrit të vendit, në fakt vetëm sa zbulon një prirje të kapshme dhe që vlon në mjediset e PD, për të vënë në pozitë të pafavorshme Presidentin e tanishëm, zotin Topi për një rikandidim tjetër. Nga ana tjetër, prania e emrave si Ceka, Xhuveli ose edhe mëtimi i partisë së çamëve për këtë post, e thellon edhe ca më tepër situatën e pretendimit për ta rrokur në çfarëdo lloji sqetulle institucionin e Presidentit. Në këto rrethana, të një gare tender politik, askush nuk ka shumë arsye që të habitet nëse edhe njëherë tjetër, edhe Baçe i monumenteve, ashtu si në vitin 2007, të futet në këtë garim gjigantësh, madje duke e bërë atë, edhe më koloristike, së paku si nivel përfaqësimi. Përzgjedhja e një kandidadi konsensual, pra që të rrezatojë mbështetje sa më të gjerë, në kushtet e një ngërçi disavjeçar në politikën shqiptare, bëhet përsëri e domosdoshme. Krahas të tjerëve, është përmendur edhe Fatos Nano, një figurë që ka qenë në epiqendër të politikës shqiptare, madje që edhe ka rrezatuar tolerancë të dukshme politike, që duam apo nuk duam, përfaqëson një referencë konsensusi, po të nisesh nga të gjitha kontributet dhe mungimet, ikjet dhe ardhjet, dorëheqjet dhe rikthimet në rrugë demokratike. Kjo përzgjedhje, e këtyre rrethanave specifike, nuk duhet lidhur kurrsesi me dëshirën e tij për të realizuar ambicien e tij personale, por shumë më tepër dhe vetëm për të vijuar situatën e konsensusit të domosdoshëm, edhe për disa kohë në këtë skenën e trazuar politike shqiptare. Në fakt, kuptohet nga të gjithë krahët e politikës se jemi në situatën e pasojës së qëndrimit të mbajtur këtyre viteve të demokracisë ndaj institucionit të Presidencës dhe të Presidentit, që politika e ngurtë dhe trazovaçe shqiptare, vijon që ta shohë më tepër si pjesë të tortës politike të fitimtarëve. Në Kushtetutën, që e ka konceptuar dhe votuar politika, Presidenti ynë, parashihet detyrimisht dhe ligjërisht, si një figurë e unitetit kombëtar. Pra, Kushtetuta dhe kriza e thellë e mosbesimit në politikën shqiptare, e bëjnë të domosdoshme që kandidat për President të jetë një individ që të gëzojë mbështetje sa më të gjerë, madje të ketë aftësi drejtimi për të qenë edhe mbi palët që kanë pushtetin ose që duan ta marrin atë. Përvoja e gjertanishme e zgjedhjes së Presidentit në Shqipëri, natyrisht për periudhën e demokracisë, qysh nga viti 1992 e deri më tani, ofron dy mënyra kryesore-

– E zgjedhjes së kandidatit/kandidatëve nga mazhorancat, një praktikë e pranishme në legjislaturat e para, që patëm si figura kryesore të politikës Berishën dhe Meidanin.

– Me zgjedhjen e Presidentit konsensual, pra me një figurë të pranuar sa më gjerë, që përfaqësohet nga figurat e Moisiut dhe Topit, ndonëse për mënyrën e zgjedhjes ata kanë edhe diferenca të prekshme.

Nuk diskutohet që mënyra e parë, formalisht dhe ligjërisht, siç e ka prodhuar vetë politika, është më funksionale, por mjedisi politik shqiptar, i egër dhe përjashtues, që karakterizohet nga mosbesimi i skajshëm i palëve, si dhe nga kriza e besimit tek institucionet, madje edhe pse janë prodhuar nga politika, e futi në skenë politike, si një rrugë të ndërmjetme, edhe praninë dhe përzgjedhjen e figurës së Presidentit me një konsensus sa më të gjerë. Aq më tepër që ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, që siç edhe pohohet nga politika dhe juristët, e kanë zbehur ndjeshëm pozicionin e tij, e bëjnë gati të pashmangshme zgjedhjen konsensuale, si një akt që hedh bazat për rikthimin e besimit të munguar në politikën shqiptare. Në këtë kuptim ka më shumë vlerë debati për nevojën e zgjidhjes së Presidentit si princip e mandej të shkohet tek emrat, që siç duket po ikin bashkë me gushtin, ndonëse pa emrat konkretë në fakt është e vështirë që të shkohet te formatimi institucional i Presidencës.

Top Channel