Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behxhet
Pacolli konfirmon zyrtarisht njohjen e 82-të të shtetit të Kosovës,
nga Republika e Gabonit.

”Njohja zyrtarisht i është konfirmuar zëvendëskryeministrit Pacolli, në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, në Gabon, nga udhëheqësit më të lartë të këtij shteti”, thuhet në njoftimin e kabinetit të Pacollit.

Këtë lajm e ka konfirmuar edhe Ministria e Jashtme e Kosovës.

Pak javë më parë Shën Lucia njohu pavarësinë e Kosovës, ndërsa pararendëse të saj ishin Guineja, Nigeri dhe Benini.

Kosova, Vatikani: Së shpejti lajme të mira

Qytetarët kosovarë do të marrin së shpejti nga Vatikani lajme të mira përsa i përket njohjes së pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

Deklarata është bërë nga delegati apostolik i Vatikanit për Kosovën, Juluisz Janusz, gjatë një takimi disa ditë më parë me ministrin e Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj.

Janusz ka shprehur përkrahjen e Selisë së Shenjtë për qytetarët dhe institucionet e Kosovës, si dhe ka vlerësuar progreset e arritura nga shteti i ri në 3 vjet pavarësi.

Nga ana tjetër, ministri Hoxhaj ka falenderuar delegatin apostolik për përkrahjen e vazhdueshme të Vatikanit.

Ai ka shprehur angazhimin e institucioneve të Kosovës për forcimin e marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë, si dhe dëshirën që ky shtet të angazhohet më shumë në Kosovë.

Top Channel