Kuvendi i Kosovës nuk bashkëpunon me Gjykatën Kushtetuese në zgjidhjen e çështjes së imunitetit të deputetëve kosovarë. Një çështje kjo e ngritur nga qeveria kohë më parë pjesë e së cilës duket se Kuvendi nuk do të bëhet.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës me të marrë kërkesën nga qeveria për të sqaruar çështjen e imunitetit, i kishte dorëzuar një shkresë Kuvendit të Kosovës që në afat prej 40 ditësh t’i dorëzojë kopjet e punës përgatiore të neneve të ligjit dhe Kushtetutës të cilat kanë të bëjnë me imunitetin e deputetëve kosovarë. Por ndërsa afati për këtë skadon të martën, pra me datë 6 shtator, Kuvendi akoma nuk i ka dorëzuar këto proces-verbale.

Në një komunikim nëpërmjet postës elektronike, Gjykata Kushtetuese përgjigjet shkurt duke thënë se Kuvendi nuk ka dorëzuar proces-verbalet e kërkuara nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në lidhje me çështjen e imunitetit të deputetëve.

Gjykata kishte kërkuar po kështu edhe mendimin e deputeteve në lidhje të drejtat dhe përgjegjësite e tyre si deputetë dhe sipas Gjykatës Kushtetuese deputeti i vetëm që ka dërguar mendimin e tij është Nait Hasani nga Partia Demokratike.

Në përgjigjen e tij zoti Hasani ka protestuar ndaj kërkesës së qeverisë për sqarimin e kësaj çështje duke thënë se, deputetët imunitein e kanë të garantuar me Kushtetutë dhe atë mund t’ua marrë vetëm Prokuroria e Shtetit. Ai ka thënë se gjërat e qarta për intelektualët nuk duan interpretim dhe sipas tij interpretim kërkojnë analfabetët politikë.

Njëri nga nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca nuk e di saktësisht nëse Sekretaria e Kuvendit i ka dorëzuar ato që ka kërkuar gjykata, por kujton që kryesia më herët kishte vendosur që t’ia lehtësojë punën gjykatës duke e përmbushur kërkesën e saj.

Gjykata Kushteutese nga ana e saj konfirmon se është duke e shqyrtuar kërkesën e qeverisë për sqarimin e çështjes së deputeteve në përputhje me Kushtetuten, ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe rregulloren e punës së gjykatës dhe do të marrë vendim meritor kur rasti të jetë i përgatitur për vendosje.

E teksa gjithçka lidhet me emrin e deputetit, Fatmir Limaj, që akuzohet për krime lufte dhe ndaj tij ka filluar proçesi gjyqësor, vetë zoti Limaj ka paralajmëruar padi ndaj qeverisë e cila sipas tij nuk ka pasur të drejtë ligjore të kërkojë nga gjykata të sqarojë çështjen e imunitetit.

Pikërisht në pyetjen tonë, se a është dashur që Gjykata Kushtetuese fillimisht të shqyrtojë ligjshmërinë e kërkesës së qeverisë për të sqaruar imunitetin e deputetëve, gjykata nuk i ka dhënë përgjigje.

Qeveria në kërkesën e saj për të sqaruar imunitetin e deputeteve i është referuar nenit 93 i cili flet për kompetencat e qeverisë dhe nenit 113, pika e 3 e cila thotë se qeveria është e autorizuar të ngrejë disa çështje në mesin e tyre edhe konfliktin në mes të kompetencave kushtetuese të Kuvendit të Kosovës.

Top Channel