Emri i saj nuk është i njohur për publikun e gjerë, por për Jessica Chastain gjërat do të ndryshojnë shumë shpejt.

Këtë vit, kjo aktore pret shfaqjen e plot 7 filmave të saj, duke përfshirë filmin ‘The Debt’ që ka filluar të shfaqet në sallat amerikane në fillim të këtij muaji.

Chastain ka interpretuar në filmin e Terrence Malick ‘The Tree of Life’ para tre vitesh dhe pas shumë vitesh në postproduksion ky projekt fitoi “Palmën e Artë” në Festivalin e Kanës në maj të këtij viti.

Aktualisht, ‘The Help’, një tjetër film ku ka interpretuar Chastain, është nga më të ndjekurit në SHBA dhe kjo aktore po bëhet pak nga pak e njohur për publikun.

“Deri para pak kohësh nuk më njihnin fare, ndërsa tashmë më ndodh shpesh që më ndalojnë në rrugë dhe kjo më pëlqen”, shprehet 30-vjeçarja.

Pritet shfaqja në kinematë botërore gjatë këtij viti edhe të filmave të tjerë të Jessica Chastain si ‘Take Shelter’, ‘Texas Killing Fields’, ‘Coriolanus’ dhe ‘Wilde Salome’.

Top Channel