Një kabllogram shokues që ish ambasadori amerikan Xhon Withers i ka dërguar Departamentit të Shtetit në nëntor të vitit 2008, lidh shefin aktual të shtabit, kolonel Xhemal Gjunkshi me një skemë të mirëfilltë korruptive në ushtrinë shqiptare.
Kabllogrami zbulon se kolonel Gjunkshi, në atë kohë komandat i regjimentit të komandove është akuzuar nga një grup oficerësh të ushtrisë shqiptare se merrte rryshfet për të emëruar ushtarakët në misionet paqeruajtëse jashtë shtetit, kryesisht Irak.
Ambasada Amerikane në kabllogram thotë se pagesa e rryshfetit që një ushtarak duhet të paguajë për të shkuar në Irak është 7 mijë dollarë, gati gjysma e shpërblimit që ata do të merrnin për një periudhë 6 mujore qëndrimi atje.
Grupi i oficerëve, që ka akuzuar kolonel Gjunkshin, përmes një letre konfidenciale kanë vënë në dijeni për këtë aferë drejtuesit më të lartë të qeverisë.
Në letër, shefi aktual i shtabit akuzohej jo vetëm për rryshfete në përcaktimin e komandove që shkonin me misione jashtë shtetit, por edhe si i përfshirë në skema të tjera korruptive.
Siç zbulon dhe kabllogrami oficerët madje kanë kërcënuar se do ja dërgojnë letrën edhe gazetës prestigjoze New York Times, e cila në atë kohë ishte bërë jo pak e njohur në Shqipëri për shkak të investigimeve mbi korrupsionin në ngjarjen e Gërdecit.
Ambasada shkruan se praktikë e rryshfeteve në misionet paqeruajtëse nuk është e re për ushtrinë shqiptare dhe pasojat e saj janë se në misionet komando jashtë po dërgohen edhe njerëz të patrajnuar.
Shtete e Bashkuara kanë qenë mjaft të shqetësuara nga kjo skemë e gjerë rryshfetesh në ushtri dhe vetë ambasadori Widhers shkruan në dokumentat nisur Washingtonit se do e ngrinte këtë shqetësim tek drejtuesit më të lartë të qeverisë.
Ish komandanti i regjimentit të komandove, kolonel Xhamal Gjunkshi pak javë më parë u vendos në krye të ushtrisë shqiptare.
Top Channel