Durrës, arrestohet inxhinieri elektronik

25/08/2011 12:05

Policia e Durrësit ka njoftuar se ka arrestuar në flagrancë një person me profesion inxhinier elektronik me një sasi të konsiderueshme pajisjesh elektronike që shërbejnë për prodhimin e lojrave të fatit.

Ai u kap dje rreth orës 13.30 në lagjen nr. 4 të qytetit duke transportuar me autoveturën pajisjet elektronike. Nga verifikimi rezultoi se shtetasi nuk posedonte dokumentacionin shoqërues të mallrave në fjalë. Gjatë hetimit u identifikua baza e prodhimit të kasave si dhe montimit të pjesëve elektronike në makineta.

Gjithashtu, nga hetimi rezultoi se pjesët elektronike të tyre siguroheshin nga shtetasi në fjalë nëpërmjet blerjeve në internet dhe hynin kontrabandë në territorin shqiptar përmes pikave doganore.

Janë identifikuar gjatë hetimit edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, gjeneralitetet e të cilëve nuk do të bëhen publikë në këtë fazë të hetimit.

Top Channel