Tatimet kontrolle në bregdet

23/08/2011 21:25

Drejtoria e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ka nisur gjatë javës së fundit një aksion për evidentimin e bizneseve jo formale në rrethin e Vlorës, Sarandës dhe Tiranës.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë një jave u sekuestruan dy Bar Kafe në Jalë dhe një Disco Club, në Borsh, të cilat ushtronin aktivitet të paliçensuar.

Subjektet që ushtronin veprimtari vetëm gjatë sezonit turistik, nuk ishin regjistruar dhe përfitonin nga çmimet e larta për pijet dhe artikujt që tregtonin.

Gjithashtu nuk kishin të siguruar asnjë nga punonjësit e stafeve të tyre.

Kontrolle u zhvilluan edhe në 88 subjekte, të cilat u penalizuan për moszbatim të detyrimeve ligjore, në mungesë të pajisjes me kasë fiskale.

Ndërkohë u vendosën tre gjoba me vlerë 300 mijë lekë, për shoqeritë e autorizuara për tregtimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve fiskale, të cilat nuk kanë respektuar afatet e mirëmbajtjes dhe të instalimit.

Në total, nga task forca e tatimeve, janë vendosur 47 gjoba me vlerë totale 11 770 000 lekë.

Top Channel