Vijon situata e rënduar në Kakavijë

21/08/2011 14:20

Vazhdon të jetë e rëndë situata në pikën kufitare të Kakavijës. Radha tashmë ka kaluar një kilometër në të dyja anët e kufirit, ndërsa situata duket se nuk do të normalizohet së shpejti.

Kjo, pasi pala greke po funksionon me ritme tepër të ngadalta. I pyetur nga TCH, drejtuesi i policise greke në stacionin e Kakavijës, tha se arsyeja e vonesave të gjata është mungesa e personelit në rradhët e policisë greke.

Mijëra emigrantë shqiptarë po presin në radhë të gjata për të kaluar kufirin dypalësh, ndërkohë që pala shqiptare thotë se nuk mund të bëjë asgjë, pasi nuk mund t’ju imponojë kolegëve grekë të shtojnë ritmin e punës.

Drejtues të policisë shqiptare kanë pasur takime me homologët grekë, por pa ndonjë rezultat konkret. Kjo situatë përsëritet çdo vit në muajin gusht.

Të zhgënjyer dhe braktisur nga shteti i tyre edhe këtë vit emigrantët shqiptarë që kanë zgjedhur pikërisht atdheun e tyre për të pushuar, kërkojnë ndërhyrjen e Ministrisë së Rendit Publik dhe të Ministrisë së Jashtme përpara se të shënohen viktima për shkak të temperaturave tepër të larta që dominojnë në zonën e Kakavijës.

Në automjetet dhe autobusët e shumtë në radhë ndodhen fëmijë dhe të moshuar, të cilët nuk kanë asnjë akses në ujë dhe banja, pasi ndodhen në brezin neutral në kufirin dypalësh.

Situata e nderë në kufirin shqiptaro-grek, pritet të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vazhdim.

Shkak për këtë, pritet të jetë një grevë 48 orëshe e paralajmëruar prej doganierëve grekë, në datat 23 dhe 24 gusht.

Grevë që nëse zhvillohet, pritet të paralizojë kufirin grek me vendet jo europiane, si Shqipëria, Turqia dhe Maqedonia.

Top Channel